E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për huliganët

Kuvendi i Kosovës të premten e ka votuar një amendament të projekt-kodit penal, i cili huliganizmin nëpër arenat sportive të vendit e trajton si vepër penale. Ky amendament parasheh dënime deri në pesë vite burgim për huliganët. Propozuesi i këtij amendamenti, Bekim Haxhiu beson se ky vendim i Parlamentit shpejt do ta eliminojë huliganizmin nga terrenet sportive të Kosovës.

Tash e tutje, tifozët kosovarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm nëpër arenat sportive, sepse në rast se e humbin kontrollin duke u shndërruar në huliganë shkaku i sjelljeve të pakontrolluara të tyre, atëherë do të rrezikojnë që deri në pesë vite të jetës t’i kalojnë prapa grilave.

Këtë vendim e ka marrë të premten Kuvendi i Kosovës. Në fakt, gjatë shqyrtimit të dytë që ia bënë projekt-kodit penal, deputetët e Parlamentit të Kosovës e kanë votuar edhe amendamentin që huliganizmi të trajtohet si vepër penale.

Sipas këtij amendamenti, parashihen dënime deri në pesë vite burgim për njerëzit që kryejnë vepra huliganizmi nëpër arenat sportive të Kosovës.

Këtë amendament e ka propozuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në Parlament, Bekim Haxhiu, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Haxhiu ndihet krenar për punën që bëri dhe falënderon deputetët e tjerë që e votuan propozimin e tij. Ai beson se ky amendament do ta eliminojë huliganizmin nga sporti kosovar.

“Kjo i ka disa efekte. Efekti i parë është se ky amendament i Kodit të ri Penal do t’i parandalojë njerëzit të bëjnë vepra huligane, sepse ata tash do të jenë të vetëdijshëm se do të ndëshkohen. Efekti i dytë është se ata që bëjnë vepra penale, do të ndëshkohen”, ka deklaruar Haxhiu për Express.

“Efekti tjetër është që ky amendament ua lehtëson punët policëve, prokurorëve dhe gjykatësve për t’i dënuar huliganët, pasi deri më tani u ka munguar infrastruktura ligjore për ta kryer këtë punë si duhet”, shtoi ai.

Haxhiu nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Ai synon që në një të ardhme të afërt ta iniciojë projektimin e një ligji ekskluzivisht për eliminimin e tërësishëm të huliganizmit nga arenat sportive të Kosovës.

“Pikërisht ky amendament i hap rrugë Kuvendit të Kosovës që në të ardhmen e afërt ta miratojë një ligj ekskluzivisht kundër huliganizmit”, tha Haxhiu.

Duhet theksuar se prej vitit në vit huliganizmi po shfaqet në shkallë shqetësuese nëpër fushat e futbollit kosovar, nëpër ndeshjet e basketbollit, por edhe nëpër sporte tjera.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›