E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplina perjashton perjete Ndreun

Ramadan Ndreu është pezulluar përjetë nga aktivitetet futbollistike. Vendimi për trajnerin e Kastriotit, i cili është më i ashpëri në historinë e Superligës, është dhënë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.

Ky organ ka vendosur ta nxjerrë Ndreun në pension pas ndeshjes së mesjavës, Kastrioti-Skënderbeu 0-0, e vlefshme për gjysmëfinalet e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Drejtuesi i stolit krutan akuzohet se ka goditur gjyqtarët e ndeshjes, ndërsa ka ofenduar ashpër dhe ka kërcënuar edhe zyrtarët e federatës, e më specifikisht zv.sekretarin e përgjithshëm, Çela.

Në vendimin me dorë të hekurt të Disiplinorit, argumentohej se pezullimi i përjetshëm për Ndreun ka ardhur për shkak se “këto sjellje janë të përsëritura”. Ndërkohë, nga ana tjetër tekniku ka bërë të ditur se përpara vendimit të Disiplinës, ai kishte dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Kastriotit.

Ndreu e ka shpjeguar vendimin e tij me eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, që ishte objektivi kryesor i Kastriotit. Krutanët kanë bërë investime të rëndësishme gjatë këtij sezoni, por pavarësisht kësaj ata rrezikojnë të mbeten jashtë kupave të Europës.
Mes vendimeve të tjera, bie në sy edhe dënimi maksimal për Skraparin në Kategorinë e Parë, pas ndërprerjes së ndeshjes me Adën, ku u dhunuan gjyqtarët. Skrapari humbi ndeshjen 3-0 në tavolinë, iu hoqën 3 pikë nga klasifikimi dhe u dënua me 8 ndeshje jashtë fushe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›