E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha garanton Kosovën për Portin e Shëngjinit



Kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm t’i japë Kosovës Portin e Shëngjinit. Këtë e ka deklaruar vetë kreu i qeverisë shqiptare gjatë një takimi me një përfaqësi të kabinetit qeveritar të Kosovës, të përbërë nga: Fatmir Limaj, ministër i Transporteve; Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave; Lutfi Zhargu, ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Ata shoqëroheshin nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula.
Zoti Limaj, që kryesonte delegacionin, i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e kryeministrit Thaçi dhe Presidentit Sejdiu dhe i dorëzoi kryeministrit Berisha vendimin e qeverisë së Kosovës për të hapur bisedimet rreth Portit të Shëngjinit, për të cilin qeveria e Kosovës ka ngritur një grup ndërministror. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen grupit të ministrave të Kosovës dhe u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj. Të dyja palët diskutuan gjerësisht mbi nevojën e një studimi mbi zgjerimin e mundshëm të Portit të Shëngjinit në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës. Kryeministri u shpreh se ai dhe qeveria shqiptare ndjekin me vëmendje dhe admirim zhvillimet pozitive në Kosovë, të cilat po e çojnë Kosovën drejt një konsolidimi të sigurt të pavarësisë së shtetit ligjor dhe duke konsoliduar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon.
Lidhur me këtë, grupi i përbashkët ndërministror duhet të shohë mundësinë e bashkëpunimit edhe në fushën energjetike për ndërtimin e burimeve të përbashkëta të energjisë, lidhjes hekurudhore, njësimit të programeve arsimore dhe kulturore, në projekte të përbashkëta në impiantet e turizmit malor në Alpet e Shqipërisë, duke u ndalur veçanërisht në krijimin e një rrjeti të pikave të përbashkëta të kontrollit doganor për të rrëzuar kështu pengesat burokratike në lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›