E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha takon Rehn në Bruksel: “Vendimi i Kushtetueses për dosjet, i drejtë”



Komisioneri europian për Zgjerimin, Olli Rehn, ka përshëndetur dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të dosjeve. Këtë deklaratë Rehn e ka bërë gjatë një takimi pune me ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Gjatë takimit, ministri Basha informoi komisionerin Rehn mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, mbi zhvillimet ekonomike, për përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe për vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar reformat në çdo fushë. Ministri Basha dhe komisioneri Rehn diskutuan gjerësisht rreth procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapave të mëtejshme në këtë drejtim, në kuadër edhe të koordinimit të veprimeve mes vendit tonë dhe vendeve anëtare dhe Komisionit Europian. Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu te procesi i liberalizimit të vizave. Ministri Basha informoi komisionerin Rehn mbi ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike. Gjatë ditës së sotme, Basha do të zhvillojë takimin vjetor me Trojkën e BE-së në kuadër të dialogut politik Shqipëri-BE. Një takim i tillë bëhet vetëm një muaj para publikimit të raportit vjetor të KE-së mbi ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›