Ne sarhoshët

Kryeministri Berisha gjate nje takimi me modelen Çiljeta
Ne kulmin e tragjedise se Gerdecit, kryeministri i Shqiperise i akuzon gazetaret per mercenarizem dhe se festojne me fatkeqesine e njerezve te pafajshem
Gazetarë që u gajaskan në vendin e katastrofës? Gazetarë që shtruakan gosti nga gëzimi i dhembjes? Gazetarë që na kërcejnë a që këpusin broçkulla të dehur në ndonjë transmetim? Këtë skenar filmi fiksional unë e dëgjova dje nga goja e kryeministrit tim i cili betohej se i kishte parë të gjitha këto në televizor teksa konsumohej njëra nga tragjeditë më të rënda që ne si shqiptarë mbajmë të arkëtuara në memorie. Sot për herë të parë në këto ditë lodhjeje çnjerëzore, më erdhi turp nga njerëzit me të cilët ndaj të njëjtën redaksi. Shumica e tyre s’e kishin dëgjuar ç’mendon kryeministri i tyre për ta, ngaqë, normal, teksa gjëma është ende këmbëkryq, ata s’kanë kohë të shohin televizor. Çfarë t’i thoja dje Ardita Balës që prej pesë ditësh po gdhihet e ngryset në zonën e “luftës” përbri predhave nga njëra anë dhe kufomave të copëturara nga ana tjetër? Çfarë t’i thoja Elona Elezit që e bëri të sajën secilën nga historitë rrënqethëse që na dëgjuan veshët këto ditë? Çfarë t’i thoja Leonard Bakillarit që mend humbi shikimin i kërrusur mbi qindra fashikuj dosjesh ku ende fsheh kokën ndoshta afera më e përgjakshme korruptive që kemi dëgjuar? Çfarë t’u thoja dhjetëra kolegëve të medias me të cilët po i ngrysim netët nëpër redaksitë tona deri në zbardhje të agimit në mënyrë që shqiptarët të shohin përmes syve tanë atë që pamë ne, e të lexojnë përmes rreshtave tanë atë që ne përjetuam? Sinqerisht, teksa mendoja se tani duhet t’i konsideroja të gjithë tok me veten, një tufë sarhoshësh të ndërsyer, m’u lidhën duart e gjuha bashkë, e s’më bëhej më të shkruaja një rresht. Seç kam një përshtypje të hidhur se kjo paralizë ua ka këputur krahët e ua ka prerë hovin të gjithë atyre që me përkushtim dhe pa ndonjë interes tjetër veç informimit, bëjnë të mundur që kryeministri ynë të ketë me ç’të merret ndërkohë që duhet të bëjë punën e tij e kështu të mos na ndodhin ato që ndodhin. Sepse as e tha edhe ai vetë? Teksa tek ne dramat ndodhin, ai sheh…televizor. Ndërkaq m’u kujtua edhe një episod i vogël dhe jo aq i largët, vetëm në Shkup të Maqedonisë teksa kryeministri vendas po guxonte madje të jepte një konferencë shtypi një ditë pasi gorrillat e tij kishin thyer një kamera televizive. Teksa zotëria nisi ritualin e kapardisjes mbi podium, u gjend përpara një skene çarmatosëse. Të gjithë ata që ishin përballë, gazetarë, kameramanë, fotografë, të majtë e të djathtë, sllavë e shqiptarë të bashkuar nga titulli i vetëm “gazetarë” a “punëtorë të shtypit”, braktisën mbi dysheme kamera e stativë, aparate e mikrofonë duke e lënë atë të dërdëlliste me vetveten përballë një boshllëku njëherit bojkotues e akuzues. Në Shkup u thye veç një kamera. Në Tiranë dje, kryeministri i ndezi fitilin e hodhi në erë tërë besueshmërinë e pushtetit të katërt duke na fyer të gjithëve. Në paçim ndopak respekt për djersën dhe mundin tonë, ky është momenti për të mos lejuar të na përdhosin. Jemi ne që rendim të kapim minutën kur zoti kryeministër del të ligjërojë nëpër foltore ku përmes nesh hedh baltë po mbi ne. Jemi ne që sot, më shumë se kurrë, ky nëpunës gojëlëshuar na detyrohet një ndjesë të fortë. Këtu s’kanë punë të fusin hundët për të përfituar ndopak minutazh shoqatat jo-qeveritare. Këtu s’kanë pse përfshihen as përfaqësuesit e establishmenteve pronësore. Ky është një hesap mes nesh si komunitet gazetarësh dhe atij si nëpunës shteti. Unë personalisht jap dorëheqjen si gazetar nëse vendi im shndërrohet në një cirk ku s’mund të kryesh më gazetari ngaqë kryeministri s’ndjehet mjaftueshëm i zbavitur. Qysh nesër, unë refuzoj të bëj detyrën nëse do të kem përballë këtë nëpunës të shtetit që unë e mbaj me taksa. Nëse do të gjendem përpara këtij njeriu që më akuzon mua dhe kolegët e mi pse nuk ia servirim realitetin ashtu siç do të donte ai, në m’u ndodhtë një laps në dorë do ta thyej, në m’u ndodhtë një mikrofon do ta flak, e në m’u ndodhtë një kamera do ta fik. Do ta bëj këtë sepse kam respekt për profesionin tim dhe sepse e di që ata dhjetëra të rinj, djem e vajza punëtorë të shtypit të përditshëm a medias elektronike, nuk e meritojnë t’i ndyejnë siç politikanët mund të bëjnë brenda llojit të tyre. Këtë alienim me të gjithë ata që s’bëjnë pjesë në shpurën e “gaztorëve” të vet mediatikë, zoti kryeministër do ta ketë nga pas derisa ai të kërkojë ndjesë dhe të na e tregojë ne të tjerëve se kush ishin ata prej nesh që qeshnin atëherë kur qahej, ata që hidhnin valle kur vajtohej dhe ata që shtroheshin në të ngrënë kur numëroheshin viktimat.