E vërteta rreth akuzave ndaj meje

Djali i kryeministrit te Shqiperise, i tha dje Korrierit se nuk ka gisht ne aferen e pergjakshme kriminale te tregtise se armatimit e cila duket se qendron ne zanafillen e tragjedise ne Gerdec. Gary Kokalari ka publikuar fakte kompromentuese
Dje, më datë 19.03.2007, në dy të përditshme është botuar një letër e një individi të quajtur Geri Kokalari. Letra servir një zinxhir thashethemesh, që kushdo mund t’i tjerrë për këdo dhe që nuk mbështeten në asnjë lloj prove. Duke mos u zgjatur në arsyet evidente që shtyjnë faktimin e shpifjeve në këto ditë fatkeqësie, dëshiroj të informoj opinionin sa vijon: Me përgjegjësi të plotë ligjore deklaroj: 1- Çdo pretendim apo aludim për përfshirjen time në tregti të ligjshme apo të paligjshme armësh është i pavërtetë dhe përbën shpifje. 2- Nuk kam takuar kurrë personin të cilit i referohet biseda (z. Diveroli) dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me të, me biznesin e tij apo me nënkontraktorët e tij. 3- E gjithë dijenia ime për çështjen në fjalë konsiston në këtë episod: Gjatë verës (data nuk më kujtohet), një miku im më kërkoi të prisja në takim një person të quajtur Kosta Trebicka, për një shqetësim të këtij të fundit. Në vijim, në prani të mikut tim, për herë të parë dhe të fundit kam takuar z. Trebicka. Duke m’u prezantuar, z. Trebicka më sqaroi se ishte pronar i një kompanie shqiptare, që pretendonte të nënkontraktohej nga një kompani amerikane, e cila kishte kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes. Z. Trebicka ngriti pretendimin se përfaqësuesi i kompanisë amerikane i kishte thënë atij se unë i kisha kërkuar kompanisë amerikane që të mos zgjidhte për nënkontraktor z. Trebicka, por një kompani tjetër. Në prani të personit që e shoqëronte, i thashë z. Trebicka se një gjë e tillë ishte e pavërtetë, sepse unë kurrë nuk e kisha njohur shtetasin amerikan për të cilin bëhej fjalë dhe se kurrë nuk i kam sugjeruar atij ose ndonjë tjetri lidhjen ose jo të kontratave në një sferë të tillë aktiviteti. I bindur se kjo ishte thjesht një trillim, ose në rastin më të mirë një keqkuptim, i kërkova z. Trebicka ballafaqim me shtetasin amerikan, të cilit ai i referohej. Z. Trebicka më tha se ishte i bindur që bëhej fjalë për një spekulim dhe u largua pa organizuar kurrë një ballafaqim të tillë. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë kam takuar z. Trebicka. E gjithë kjo bisedë është bërë në prani të personit i cili me kishte kërkuar një takim për z. Trebicka. 4- Vazhdoj të mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo ballafaqim me personin në fjalë apo këdo tjetër që ka pretendime të ngjashme, pasi e konsideroj investigimin në çështje të tilla, si një e drejtë legjitime e kujtdo. Por mbetem gjithashtu i vendosur për të marrë të gjitha masat ligjore të mundshme, për të mos lejuar askënd të përlyejë pa prova dhe fakte emrin dhe reputacionin tim dhe të familjes sime. Në këtë kontekst, inkurajoj shtypin t’i shkojë deri në fund hetimit të kësaj çështjeje, por e ftoj të largohet nga shpifjet dhe abuzimet e pabazuara në fakte. Letra e Geri Kokalarit Shkëlzen Berisha, djali i kryetarit të qeverisë hodhi poshtë dje sulmet dhe akuzat, që sipas tij i janë bërë në shtyp për trafik armësh. Shkëlzen Berisha me anë të një letre i deklaroi “Korrierit”, se kurrë nuk ishte përfshirë në veprimtari të tilla dhe se kërkonte hetime dhe publikime të plota nga shtypi për të zbardhur çdo ngjarje, por jo të shkruajë të pavërteta. Shkëlzen Berisha i bëri komentet pak orë pasi u publikua një letër-akuzë e shtetasit shqiptaro-amerikan, Geri Kokalari, për përfshirje në trafik armatimi. Kokalari shkruante se i ka dërguar një letër ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollakut dhe pasardhëses së tij, Ina Ramës, se zyrtarë të lartë të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha janë përfshirë në tregti dhe kontrabandë armësh. Kokalari shkruan se i përfshirë në trafik është kryeministri Berisha dhe ministri i dorëhequr i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në letrën e Kokalarit përfshihet në takime që lidhen me Mihal Delijorgjin, administrator i “Albademil” (punonte në Gërdec), zyrtarë të “Meico”-s (kompania shtetërore e shitblerjesh së armëve dhe municionit) dhe një person që përkufizohet si “i paidentifikuar”, por që sqarohet më pas se është Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit.