Plagosen me armë dy të mitur
Plagos dy adoleshentë me çifte, shpallet në kërkim 25-vjeçari, si autor i një vrasjeje të mbetur në tentativë. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së dielës në një lokal të fshatit Mengël, 3 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Shpëtim Qosja, 25 vjeç, po ndiqet penalisht sepse pas një zënke me dy adoleshentë, 15 dhe 16 vjeç, ka qëlluar në drejtim të tyre me një armë gjahu, të cilën e mbante me leje. Dy adoleshentët janë dërguar menjëherë në spital, pasi kishin marrë plagë të lehta në pjesë të ndryshme të trupit dhe gjendja e tyre është drejt përmirësimit. Ndërkaq, 25-vjeçari Qosja është shpallur në kërkim policor.