E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha hap dosjet: Ja spiunët që ikin

Kryeministri Berisha pranon se një pjesë e ligjit është edhe për prokurorët. Berisha flet për emra konkretë, që nuk duhet të hetojnë dosjet

TIRANË- Deri 24 orë më parë, nga deputeti më i thjeshtë i PD-së e deri tek drejtuesit më të lartë të kësaj partie, mohuan faktin kryesor për të cilën u fol jo pak nga opozita, se ligji për dosjet kishte si qëllim kryesor të merrej me gjyqtarët apo prokurorët e çështjeve më të bujshme në vend. Por, Kryeministri Sali Berisha e ka pranuar hapur dje, teksa ka sulmuar ashpër prokurorët aktualë, e konkretisht Prokurorin Zamir Shtylla, i cili po heton çështjen më delikate, atë të tragjedisë së Gërdecit. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, por edhe dje pasdite në Kuvend, Berisha ka folur me dy standarde, teksa në njërën anë ka theksuar se ligji nuk është bërë për disa emra konkretë, ndërsa në anën tjetër, ka folur pikërisht për një gjë të tillë. “Na del në mënyrën më të pafytyrë dhe më të papranueshme se ligjin, - thonë zëdhënësit e Edi Ramës, - po e bëjnë për shkak të 3 -5 hetuesve apo 6 gjyqtarëve. Në mënyrë absolute jo. Ligji s`ka asnjë lidhje. Ligji është propozuar rreth 3 vjet më parë kur s`ka pasur asnjë proces. Por, më lejoni t`i shtroj një pyetje zotit Edi Rama; sipas teje, zoti Rama, dhe sipas zëdhënësve tuaj në Shqipëri, procese madhore mund të zhvillojnë vetëm ata që i kanë duart deri në bërryla me gjakun e njerëzve të pafajshëm? Në Shqipëri 98 % e prokurorëve dhe gjykatësve janë të lirë që s`kanë asnjë lidhje me atë të shkuar. Vetëm këta, vetëm ‘zamir shtyllat’, të cilët kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba të qytetarëve në vitin `90 dhe zvarritjen e tyre në Sarandë dhe që janë aty vetëm për lidhjet e shumëllojta me drejtuesit e tyre dhe për asgjë tjetër? Pra, këta mbrohen nga Edi Rama, por jo vetëm nga ai”, -tha dje Berisha, duke vijuar më tej. “E dini se çdo t`i thoshte Xhorxh Bushi, Mugabes në një letër? I ke bërë zgjedhjet si diktatori shqiptar Enver Hoxha. Ndaj, dhe uroj që Partia Socialiste dhe opozita shqiptare të mos mbetet peng e Zamir Shtyllës dhe e ndonjë shtylle tjetër, të mos pranojë legjitimimin e barbarive nga një sistem. Ne shkojmë në Parlament me vendosmërinë për ta shqyrtuar ligjin në thellësinë më të madhe”,- tha ai, duke shtuar se ky sistem ilustracioni nuk synon hakmarrjen, por ndarjen nga sistemi i kaluar komunist.

Akuzat ndaj Ramës

Kryetari i mazhorancës ka akuzuar dje, gjatë dy fjalimeve të mbajtura, si në mbledhje të grupit, por edhe në Kuvend, kryetarin e opozitës, Edi Rama, duke e cilësuar këtë të fundit si “një pasardhës i një ish-anëtari të Byrosë Politike, që ka përndjekur dhe dënuar me dhjetëra intelektualë”. “Keni thënë se ky ligj ka të bëjë me goditjen e Shtyllës apo të ndonjë shtyllari, por, ju zotëri, jeni vërtet fatkëqij. Juve u mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare”,- tha ai. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Berisha tha se në vitin 1997, ata që erdhën në pushtet, ç’bënë procesin e lustracionit. Ai kujtoi dhënien e dëmshpërblimit për Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën, etj., duke u ndalur gjatë në këto figura dhe ato që ata bënë në diktaturë. “Ju dha pafajësi dhe dëmshpërblim Aranit Çelës, Ramiz Alisë. Kur binte Muri i Berlinit, Alia urdhëroi, firmosi ekzekutimin e poetit Havzi Nela, pushkatimin e fshatarëve të Krumës. Kush e zgjodhi Fehmi Abdiun, njeriun që vrau Havzi Nelen.Ç’bëri me Bahri Omarin që mbajti Enver Hoxhën para luftës? E vuri para pushkatimit. I shkon xhelati për t’i lidhur sytë. Ik, i tha Bahriu, se nuk vdes me sy mbyllur unë, dua të shoh vdekjen me sytë e mi, e kam kaq kurajë unë. Ka një djalë. E ka pasur sekretar të përgjithshëm të Akademisë. E keni dëgjuar që të shqipërojë ndonjë fjalë për të atin. E keni dëgjuar apo jo?”, - iu drejtua Berisha deputetëve të PS-së.

Berisha sulmon Topin

Por, në fokusin e kritikave të tij nuk ka qenë vetëm puna e Zamir Shtyllës, figurat e së shkuarës, apo qëndrimet e kryetarit të opozitës. Kryeministri Sali Berisha ka atakuar dje edhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për dekorimin pak kohë më parë të një prej juristëve, Skënder Breca, me titullin “Medaljen e Mirënjohjes”.“Në 18 vjet, tentativa jonë e ndershme, kjo që është sot, që u vendos me ligj në vitin 1995, u bllokua dhe ne përjetuam këtë vit dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin kapital të Xhelal Koprenckës në vitin 1979, sepse ky pinjoll i një familjeje të shkëlqyer, atdhetar i flaktë, kur dy bashkëvuajtësit i bënin letër diktatorit të hapemi drejt Rusisë, ky tha -jo- duhet të hapemi drejt Amerikës, ai është vendi i lirisë. Për këtë dhe vetëm për këtë, mori dënimin kapital dhe sot, në mënyrën më të papranueshme, Koprencka u dekorua vite më parë për meritën e tij, xhelati i tij u dekorua këtë vit për faqen e zezë të tij, për të përdhosur ndërgjegjen e kombit”,- tha dje Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›