E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK, Ndoka: Jemi kundër, PD-ja po hakmerret politikisht

Reagon Berisha: “S’mund të hiqesh sikur mbron interesat e të përvuajturve dhe mbron xhelatët e tyre”

TIRANË- Vjen nga një familje e persekutuar politikisht, por dje ka vendosur që të votojë kundër draftit për dosjet, duke e cilësuar fund e krye, një projektligj që ka si qëllim hakmarrje politike, sipas interesave të ditës. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i ka kërkuar dje Partisë Demokratike që të tërheqë projektligjin, për të miratuar projektin e përgatitur nga vetë demokristianët, që, sipas tij, garanton hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit. “Për fat të keq, projektligji i hartuar nga Partia Demokratike dhe ekspertët e saj, krijon hapësira për spekulime, për hakmarrje politike, për përdorim politik të ligjit, sipas nevojave të ditës, siç është vepruar edhe me ligjet e miratuara më parë. Aq më keq, ky projektligj merr në mbrojtje eksponentë të rëndësishëm të Partisë së Punës dhe spiunët e vërtetë të infiltruar në politikën e sotme, në të dy krahët e politikës”,- tha dje Ndoka. Kryetari i demokristianëve theksoi se projektligji i paraqitur dje në Kuvend, është një kthim mbrapa, sepse jo vetëm nuk dënon realisht krimet e komunizmit dhe nuk bën transparencën e dosjeve, por edhe i hap rrugën përdorimit politik të dosjeve, “mbron spiunët dhe eksponentët e Partisë së Punës dhe i hap rrugën eliminimit të kundërshtarëve politikë të ditës, çka bie në kundërshtim me frymën e Rezolutës së Këshillit të Europës dhe Kushtetutën e vendit”. Për këtë arsye, Ndoka shtoi se PDK-ja nuk do të pranojë një draft që ka si qëllim kryesor eliminimin e disa prokurorëve dhe gjykatësve. Ai shtoi se projekti është në kundërshtim edhe me Kushtetutën.

Reagon Berisha

Për herë të parë, pas shumë kohësh, Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj një deklarate të mbajtur nga demokristianët, e konkretisht ndaj fjalës së mbajtur dje nga kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka. “Nuk mund të hiqesh sikur mbron interesat e të përvuajturve dhe mbron xhelatët e tyre. S’mund t’u thuash ti të vuajturve se s’mund t’i prekim këta, se i mbron Kushtetuta. Jo. S’ka Kushtetutë demokratike që i mbron ata. Në qoftë se njëri ka shpërndarë një amendament, atëherë dhe ti mund të shpërndash 30 amendamente. Ne nuk jemi as për variantin polak që hap dosjet. Nuk cenohet asnjë person i veçantë, pasi ligji përcakton disa kritere etike, morale, të domosdoshme. Pavarësisht pozicionit politik që ke marrë, prejardhja jote është tjetër dhe s’mund të sillesh kështu. Ky është hapi i parë dhe hapi i dytë është instituti”,- i tha Berisha, Ndokës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›