E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Ligji i spiunëve rrëzon qeverinë

TIRANË- Në mungesë të opozitës, e cila ka braktisur sallën e Kuvendit në shenjë proteste për përpjekjet e mazhorancës për ta kaluar projektligjin e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit në mënyrë të njëanshme, kanë qenë vetë përfaqësues të së djathtës ata që kanë bërë oponencën e këtij drafti. Deputeti Spartak Ngjela, nisur edhe nga eksperienca e vet e burgimit politik, është shprehur skeptik lidhur me projektligjin e miratuar nga vetëm deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve. Sipas tij, drafti i paraqitur për miratim nuk do të arrijë të zbatohet, pasi praktikimi i tij do të sillte rrëzimin e shtetit. Kështu, Ngjela ka lënë të kuptohet qartë se institucionet kryesore të shtetit si, qeveria, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, janë të përbëra në shumicën e tyre nga ish-bashkëpunëtorë të sigurimit, ose njerëz që kanë kontribuar në politikat persekutuese të sistemit totalitar komunist. “A mundemi sot të eliminojmë krimin e vjetër nga administrata e lartë. Ligji që qëndroi në sirtar për 2 vjet nuk më jep shpresë se do gjejë zbatim. Nëse zbatohet, çfarë ndodh: Rrëzohet qeveria aktuale, Gjykata e Lartë, Kushtetuesja. Cili është ai kampion që do të realizojë një ndërmarrje të tillë. Ne nuk jemi aq të varfër mendërisht, që të gënjehemi me lugë të zbrazët”, - tha Ngjela. Gjithashtu, Ngjela ka theksuar se një tjetër faktor që e bën këtë ligj të pazbatueshëm është edhe natyra e tij, e cila është mbrojtëse dhe jo akuzuese, apo goditëse e atyre elementëve që, në atë kohë, kanë kryer një veprimtari që bie ndesh me moralin e shoqërisë së sotme demokratike. Për të korrigjuar edhe një sërë momentesh të tjera të dyshimta, avokat Spartak Ngjela është shprehur se ishte e domosdoshme që drafti të tërhiqej dhe të ripunohej me asistencën ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›