E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha heq emergjencën: Rama bën ciu-ciu

Asnjë nga katastrofat që paralajmëroi nuk ndodhi

Komiteti i Emergjencës Civile ka marrë dje vendim për të hequr gjendjen e emergjencës në vend pas reshjeve të shumta të dëborës që ranë kryesisht në verilindje të vendit një muaj më parë. Duke folur në këtë mbledhje, kreu i qeverisë tha se masat e emergjencës tani janë të panevojshme. E thirra këtë mbledhje të Komitetit të Emergjencës Civile sepse gjykoj nga të gjitha të dhënat, që vazhdimi i gjendjes së emergjencës, e deklaruar në datën 12 shkurt, është bërë tashmë i panevojshëm. Kjo ishte një periudhë e veçantë, një dimër i paparë që nga mesi i viteve 80, i cili bllokoi zona të tëra deri në 3 metra borë, rreth 106 komuna e bashki të vendit, me rreth 800 mijë banorë, mbi 5 mijë kilometra rrugë rurale dhe komunale, u shpreh Berisha. Kreu i maxhorancës nuk la pa atakuar edhe kundërshtarin e tij politik, për të cilin tha se kjo periudhë duhet ti shërbejë për mësim që të mos e ndërtojë më alternativën mbi të keqen. Ndaj uroj që shoku ciu-ciu të nxjerrë mësime se nuk ndërtohen alternativat vetëm mbi të keqen, edhe kur është, edhe kur nuk është, edhe kur e ndjell, edhe kur nuk e ndjell, se ja që nuk ndodhi asnjë nga ato katastrofa që paralajmëroi. Sikur borën ta kishte sjellë qeveria, sikur digat ti kishte shterë qeveria, kur qeveria po blinte energji edhe në kohën më të vështirë dhe po i furnizonte qytetarët dhe sikur përmbytjen nuk e sillte dëbora, por qeveria. Shqiptarët nuk mund ti besojnë këto gjëra, tha Kryeministri.

Rama: Berisha bën ham, ham
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar dje menjëherë pas akuzave që i bëri Kryeministri Sali Berisha nga mbledhja e Komitetit të Emergjencave Civile. Në faqen e tij personale në rrjetin social Twitter, lideri i opozitës ka postuar fjalët ndryshimi mes ciu-ciut dhe ham-hamit është ndryshimi mes qytetarisë dhe barbarisë. Gjatë ditës së djeshme opozita ka zhvilluar aktivitete lidhur me projektligjin që do të shqyrtohet në Kuvend për ngritjen e Gjykatës Administrative, si dhe ka shpalosur programin e saj për reformën në shëndetësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›