Dy studio në finale, Basha: Fituesi, pas konsultimit me qytetarët

Basha dje gjatë prezantimit të dy projekteve fituese
Çfarë parashikojnë për zhvillimin e qytetit projektet e Grimshaw Architects - DAR Group United Kingdom.
Basha: Projekti fitues do shpallet pas konsultimeve me qytetarët.
Gara për zgjatimin e bulevardit të Tiranës çoi në finale dy nga shtatë studiot ndërkombëtare që morën pjesë në konkurs. Pas rreth tetë orësh diskutime intensive, juria, në përbërje të së cilës ishin personalitete të arkitekturës dhe urbanistikës, nuk ka arritur të përzgjedhë një projekt fitues për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Projektet e studiove Grimshaw Architects – United Kingdom dhe DAR Group&United Kingdom kanë marrë të njëjtën mbështetje nga juria. Për këtë arsye, të dy studiot vazhdojnë të jenë në konkurrim. Projektet do të ekspozohen para qytetarëve të Tiranës, grupeve të interesit, para organeve vendimmarrëse, nga Këshilli Bashkiak i Tiranës te Këshilli i Rregullimit të Territorit. Të gjitha pyetjet apo çështjet që kërkojnë një detajim të mëtejshëm do tu dërgohen këtyre dy studiove dhe në varësi të përgjigjeve do të vendoset se cili nga projektet do të implementohet në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh dhe kryetar i jurisë, shprehu mirënjohje për të gjitha studiot që morën pjesë në konkurs. Ky projekt është tepër i madh. Fillimi i tij tepër urgjent dhe interesat e prekshme të brezave të sotëm dhe të ardhshëm të qytetarëve të Tiranës, tepër të larta për tu ekzekutuar vetëm nga një grup i ngushtë njerëzish, qofshin këta edhe më profesionistët dhe jam i bindur se rrugët tona do të kryqëzohen sërish së shpejti në detajimin e këtij projekti dhe projekteve të tjera madhore që do ta shndërrojnë Tiranën tonë në një qytet të denjë europian për sfidat e shekullit XXI, tha dje Basha. Juria u ka akorduar çmim të veçantë të inovacionit dhe koncepteve të reja pioniere në fushën e arkitekturës urbane, për trajtimin e sfidave në konkursin për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës, dy studiove: Kees Christianse & Partners dhe West 8.
DAR Group&United Kingdom:

Maketi i studios DAR Group Turqi & Mbretëri e Bashkuar
Në projektin e kësaj studioje parashikohet që veriu i Tiranës të krijojë potenciale për një ekonomi të re. Do të ngrihen 16 000 shtëpi të reja dhe 40 000 vende pune të reja, duke krijuar një zhvillim të qëndrueshëm. Rinovimi i lumit të Tiranës dhe zhvillimi i komuniteteve ekzistuese është çelësi për të ndërtuar një zhvillim modern që lidh bulevardin me institucionet e reja kulturore dhe qytetare, duke përfshirë një kampus shtet-e-artit-universitar. Në projekt është parashikuar ngritja e parkut të Tiranës, që është parku i ri linear brenda bulevardit, i cili do të bëhet pikë qendrore për një sërë aktivitetesh civile dhe rekreative, duke përfshirë pazarin, bibliotekën, kopshtet dhe dhe kafenetë. Parku linear do të sigurojë lidhje midis Parkut të Liqenit në jug, qendrës kulturore në zemër të Tiranës dhe zonës së Paskuqanit. Në këtë zonë do të mbillen rreth 10 000 pemë, për të siguruar një hapësirë mjaft kreative. Përsa i përket lumit, ai shihet si një mundësi më shumë për biznesin që të shtrihet përreth tij, duke i dhënë kësaj zone një dimension ekonomik. Projekti parashikon një kampus universitar, një galeri ekspozimi dhe në këtë pjesë të qytetit inkurajohet përdorimi i mjeteve alternative të transportit. Janë parashikuar mundësi të reja dhe të rinovueshme të energjisë, të cilat do të ndihmojnë në stabilizimin e furnizimit me energji.
Grimshaw Architects – United Kingdom

Maketi i studios Grimshaw Architects - Mbretëri e Bashkuar
Zhvillim infrastrukturor në rrugë, duke e kthyer Tiranën në një qytet të ri me më shumë gjelbërim. Ky është elementi kryesor i përfshirë në projektin e kësaj studioje. Elementi dytësor janë institucionet publike, ndërtesat kryesore, që është dhe vendi ku fokusohen qytetarët. Një komponent tjetër është shtrirja deri në Paskuqan, një zonë bujqësore e kulturore, duke i dhënë asaj gjelbërim, ndërtesa të vogla dhe shndërrimin e saj në një qytet. Do të vendosen parametrat dhe mënyra se si shkojnë punimet, dizajni që përdoret duke u bazuar në investimet me atë që ka më shumë rëndësi, me teknologjinë. Lumit të Tiranës do ti kushtohet rëndësi në çdo element, florës e faunës së tij, shndërrimin e tij në një lumë të ri e të pastër. Do të krijohet mundësia që Tirana të jetë një vend tërheqës për turistët dhe banorët e saj. Do të shikohet se si kjo do të japë rezultatet e saj dhe se si do të ndikojë në krijimin e mundësive tregtare. Një pikë e rëndësishme është ajo që ne duhet të bëjmë një lidhje mes asaj që është e re dhe asaj që është e vjetër, duke u fokusuar fillimisht në problematikat e tyre, thanë përfaqësuesit e studios. Elementi i dytë, sipas tyre, është Pallati i Drejtësisë, i cili, sipas hapësirave që do zërë, shihet si një pjesë e rëndësishme e projektit. Një pikë e rëndësishme ështe ajo që ne duhet të bëjmë një lidhje mes asaj që është e re dhe asaj që është e vjetër, duke u fokusuar fillimisht në problematikat e tyre, u bë me dije gjatë prezantimit të projektit.
Bulevardi
Bulevardi i ri do të ketë një gjatësi 1.7 km, ndërsa është parashikuar edhe zhvillimi i sipërfaqes përreth saj në plot 132.8 hektarë. Shtatë studiot e arkitekturës prezantuan edhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës me gjatësi 6.7 km, zhvillimin e zonës përreth si dhe propozime për zhvillimin e zonës deri në Paskuqan.
ZIRINA LLAMBRO