Rama: Shëndetësia do jetë falas

Tryeza e PS për shëndetësinë
Kreu i PS e cilëson të korruptuar sistemin shëndetësor: U kthye në trofe partie.
Sdo ti ndajmë shqiptarët të siguruar e të pasiguruar
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi sistemin shëndetësor të korruptuar, ndërsa Ministrinë si trofe për partitë e koalicionit të PD-së. Gjatë tryezës për Shëndetësinë, pjesë e planit për një Rilindje Shqiptare, Rama dha shifra, të cilat janë shprehje e situatës aktuale në sektorin e shëndetësisë. Sot flasin për një shëndetësi që bazohet në parimin secili për vete dhe Zoti për të gjithë. Politika jonë është: secili bazohet sipas mundësive dhe shteti për të gjithë. Sot, 60% e përbëjnë pagesat nga qytetarët. Kontributet përbëjnë 1/5 e shëndetësisë. Në përgjithësi kemi sistem shëndetësor ku më shumë se gjysma e shpenzimeve përbëhet nga pagesat për shtetin. Sepse modeli dhe politika që e mban atë në këmbë janë të ndërtuara mbi parimin secili për vete dhe Zoti për të gjithë. Një milion njerëz gjenden të përjashtuar nga shërbimi shëndetësor se nuk janë të siguruar, se nuk e kanë një punë. Në tetor 2009 tarifat u rritën 4 deri 5 herë, në 2010-n u vendos edhe TVSH-ja 10%. Ne jemi të vendosur të heqim TVSH-në për ilaçet. Rëndesë për 104 mijë familje që jetojnë me 40 mijë lekë në muaj. Nuk është vetëm modeli që ka dështuar, por ai kalbet mbi tokë nga një korrupsion kapilar që ushqehet dhe forcon këto interesa, u shpreh Rama. Kreu i selisë rozë e akuzoi qeverinë se e ka kthyer Ministrinë e Shëndetësisë në një organizatë partie dhe trofe për partitë e vogla, me të cilat bën pazare për koalicione qeveritare. Ministria e Shëndetësisë është organizatë partie në shërbim të një partie të koalicionit. Ministria e Shëndetësisë prej kohësh ka qenë pjesë e pazareve të koalicionit, si një trofe i një partie të vogël dhe në mënyrë të hapur ajo ka lejuar të kthehet në organizatë partie ku të gjitha paratë e taksapaguesve për të mbajtur në këmbë sistemin e saj janë kthyer në rroga për anëtarët e partisë, u shpreh Rama. Kreu i PS-së u shpreh se në programin e 5 nëntorit, socialistët parashikojnë, si një ndër politikat më radikale, angazhimin për ndryshimin në sistemin shëndetësor. Duke bërë një pasqyrë të gjendjes së mjerueshme të spitaleve, shërbimit dhe vlerësimit të bluzave të bardha, Rama theksoi se opozita parashikon që shërbimin shëndetësor ta blejë shteti dhe ta ofrojë në sistem kombëtar të barabartë për të gjithë. Sistemi shëndetësor është një model i dështuar dhe me nxitje korruptive. Shërbimi shëndetësor kombëtar që ne do të ngremë do të jetë blerësi unik i shërbimit shëndetësor. Pra nuk do ti ndajmë në shqiptarë të siguruar dhe të pasiguruar, por shteti do ta blejë dhe do ta ofrojë nëpërmjet shërbimit kombëtar shëndetësor. Shëndetësinë publike dhe arsimin publik ne e vlerësojmë si arterie dhe si forcë në shërbimin ndaj qytetarëve, deklaroi Rama.
Ministria: Rama sdi nga shëndetësia
Ministria e Shëndetësisë reagoi menjëherë ndaj akuzave të kreut të PS, Edi Rama, ndaj këtij dikasteri, të cilin e cilësonte si një organizatë partiake. Rama derdhi mllef ndaj Ministrisë së Shëndetësisë. Rama tha se shëndetësia do të jetë si në kohën e komunizmit. Rama nuk di se çfarë është Organizata Botërore e Shëndetësisë, deklaroi në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë.
ARISTIR LUMEZI
