Berisha hesht për reformën
• Kryeministri Sali Berisha nuk ka pranuar të komentojë dje zhvillimet e fundit për reformën zgjedhore dhe kërkesat e aleatëve, për ta përdorur këtë reformë për interesa të tyre.I pyetur lidhur për kontaktet me aleatët kreu i qeverisë tha se, “Kodi zgjedhor duhet t’i përshtatet frymës së mundësimit. Unë po të kisha një emër tjetër në këtë aspekt do të më quanin komunikator. Unë komunikoj nga mëngjesi deri në darkë me të gjithë aleatët e mi dhe të gjithë faktorët e këtij vendi. Komunikimi është një dhunti shpirtërore e imja”. Duke folur gjatë një tryeze me temë “Programi i advokimit për gratë” i organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), kryeministri Berisha u shpreh se, “Eshtë shumë e rëndësishme që gratë dhe vajzat të marrin kuotat e tyre në Parlament. Kjo është përcaktuese që ato të marrin vendin e tyre në vendimmarrje. Mendoj se kuota minimale prej 30 % si hap i parë, është i domosdoshëm”.