Meta: Rama i paaftë të bëjë planin urbanistik të Tiranës
• Kreu i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi dje Edi Ramën se vazhdimisht gjatë takimeve të tij me elektoratin mohon arritjet pozitive të PS-së kur ka qeverisur.Sipas tij, Rama ka qenë dhe mbetet pjesë e pushtetit të majtë, i cili ka suksese të pamohueshme. “Zoti Rama ka një problem që përpiqet të krijojë një realitet të tij virtual. Bën disa shkëputje simetrike dhe aspak dialektikë. P.sh., ai thotë që për 17 vjet nuk është bërë asgjë, s’ka bërë gjë as Nano, as Majko e as Meta si kryeministra të qeverive socialiste. Atëherë unë dua të pyes zotin Rama, po ti në këto 10 vjet si ministër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk ke qenë pjesë e këtyre qeverive?”, u shpreh Meta. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri gjatë një interviste në televizionin “Ora News” me gazetarin Alfred Peza. Por Meta nuk është mjaftuar me kaq. Ai ka kërkuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës se përse në tetë vjet që ai drejton këtë bashki nuk është bërë plani urbanistik i Tiranës. “Prej 8 vitesh zoti Rama është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Që prej asaj kohe janë bërë ndryshime në Tiranë dhe pse jo perfekte. Në 8 vjet përse nuk përfundoi studimi i përgjithshëm urbanistik i Tiranës? Kur në 8 vjet nuk bëhet kjo, mendon se është e thjeshtë se në 4 vjet të një mandati qeverisës të zgjidhë gjithë problemet që ka gjithë Shqipëria, që nga energjia, bujqësia, papunësia, lakra e Myzeqesë, etj”, u shpreh Meta. Sipas tij, Rama mbetet vetëm në kuadrin e konstatimeve. Meta duke analizuar ecurinë e drejtimit të Ramës dhe deklaratave publike të tij, tha se kreu socialist nuk duhet të bëjë vetëm konstatime dhe denigrime pasi ai përfaqëson një parti, e cila ka qeverisur vendin me sukses për tetë vjet edhe pse jo pa defekte. Atë që ai do të ndërtojë s’do ta ngrejë nga boshllëku dhe nga hiçi”.Politikani Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit, Meta analizoi dhe deklaratën e Edi Ramës sipas të cilit, “ai nuk është politikan”. “Zoti Rama është kryetari i bashkisë dhe kryetar i PS-së. Eshtë një shprehje që më shumë ka efektin e lajmit. Zoti Rama bën pjesë në aspektin politik. Zoti Rama ka qenë më shumë nga të gjithë në pushtet. Eshtë një shprehje që synon të nxisë një urrejtje më të madhe të popullit ndaj politikanëve, duke tentuar të shkëputet nga ky ambient politik në mënyrë të pavërtetë, pasi ai ka qenë anëtar i tre qeverive socialiste, me Majkon, me Nanon dhe me mua, prandaj nuk është një lajm i besueshëm. Por të jesh një politikan profesionist duhet të njohësh institucionet”, tha Meta. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Rama e fitoi drejtimin e PS-së apo ia “dhuruan”, Meta është i mendimit se “Ramës i mbeti PS”. “Përgjigjja më e sinqertë është që i mbeti PS-ja, në kuptimin se politika e gabuar e zotit Nano ‘përça e sundo’ solli përjashtimin dhe largimin e shumë personaliteteve dhe figurave të shquara që ishin të denja të konkurronin për kreun e PS-së por që ishin larguar nga kjo parti”, shtoi Meta. Duke bërë profilin e kreut socialist, Meta theksoi se, ajo është e paqartë. “Se çfarë është zoti Rama unë nuk marr përsipër që t’ua them, se çfarë është ai. Mendoj që nga pikëpamja e profilit të tij politik ka një vakum dhe një paqartësi shumë të madhe. Si në pikëpamjen e një historie, si nga pikëpamja e një koherence e qëndrimeve me të tjerë, kështu që e kam shumë të vështirë që vërtetë t’ju jap një përgjigje. Ndoshta do të më duhej më shumë të mendohesha”, tha Meta.Koalicioni Duke gjykuar Edi Ramën si shkaktarin e vetëm të prishjes së koalicionit të majtë opozitar, pas bashkëpunimit të fshehtë dhe jo transparent me Berishën, Meta u shpreh se, ai është aleat i paqëndrueshëm. Duke bërë ftesë të hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë për të majtën, Meta vijoi se, është i gatshëm të bashkëpunojë për reformën zgjedhore pa paragjykime me çdokënd, duke mos përjashtuar as Fatos Nanon dhe as deputetët që votuan presidentin Topi. “Në demokraci nuk ka armiq”, tha Meta. Kreu i LSI-së e ka cilësuar qesharak dhe jo serioz debatin për kryeministrin e ardhshëm të së majtës, duke kujtuar se “kryeministrin e merr ajo parti që ka 71 vota në Kuvend, pra është një gjë që e vendos votuesi shqiptar”. Meta përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me të djathtën dhe Sali Berishën pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe nuk përjashton bashkëpunimin me Partinë Socialiste pas tyre.