Berisha, homazhe për diplomatin Vladimir Prela
Politikanët kanë zhvilluar homazhet e fundit dje për diplomatin Vladimir Prela. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni u nda nga jeta ditën e shtunë nga një atak në zemër. Kryeministri Berisha e ka quajtur një humbje të madhe, ndarjen nga jeta të ambasadorit Prela. "Është një zi e vërtetë për diplomacinë e Shqipërisë, e cila ka pasur te Vladimir Prela një nga përfaqësuesit e saj më dinjitozë, një intelektual dhe zyrtar të ndershëm, të përkushtuar, të mençur, një diplomat që ka dhënë kontribut të veçantë për vendin dhe kombin në tërësi, një prind, familjar, një qytetar dhe mik të shkëlqyer", u shpreh Berisha. Vladimir Prela u lind më 30 korrik të vitit 1949 dhe kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, në degën e Gazetarisë. Gjatë karrierës së tij, ai ka ushtruar disa funksione të larta shtetërore si drejtor i kabinetit të Kryeministrit, këshilltar i Presidentit të Republikës, i ngarkuar me punë në Kosovë dhe së fundmi, që nga viti 2003 atë të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë. Kryeministri Berisha i ka shprehur dje ngushëllimet familjes, bashkëshortes, fëmijëve, të gjithë diplomacisë shqiptare dhe miqve të diplomatit Prela.