Infrastruktura zgjedhore, PS raportim te ndërkombëtarët
Partia më e madhe e opozitës ka filluar një proces monitorimi në bazë për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Burimet nga selia rozë sqarojnë se shtabet lokale kanë marrë porositë që të ndjekin me vëmendje procedurat e aplikimit të shtetasve me karta identiteti. Në qendër të vëzhgimit do të jenë ata qytetarë të cilët janë në moshën e votimit, por nuk janë të pajisur me pasaporta. Evidentimi i rasteve të abuzimit me këto lista po regjistrohet në degët lokale për t‘iu përcjellë më pas shtabit qendror në selinë e Partisë Socialiste në Tiranë. Problemet me listat e zgjedhësve dhe me pajisjen me karta identiteti do të raportohen në vijimësi te faktori ndërkombëtar i akredituar në kryeqytetin shqiptar. Një praktikë kjo që ka ekzistuar në vijimësi teksa socialistët informojnë ndërkombëtarët çdo të premte lidhur me zhvillimet politike. Në strukturën qendrore mësohet se kanë filluar të vijnë informacionet e kësaj natyre prej disa ditësh. Puna e shtabeve lokale do të vijojë deri në fushatën zgjedhore dhe më tutje edhe gjatë ditës së votimit në 28 qershor. Sakaq, organizatat socialiste kanë marrë në dorëzim një kopje të listave për qendrat e votimit që mbulojnë. Prej kohësh është kryer evidentimi i këtyre emrave dhe skanimi i situatës paraelektorale. Socialistët pretendojnë se një numër i konsideruar personash që nuk kanë pasaporta po rrezikojnë të mos pajisen as me karta identiteti. Kjo për shkak të çorientimit të këtij procesi dhe mungesës së një plani të qartë nga ana e qeverisë. Opozitarët pretendojnë se në këtë formë do mund të privohen nga e drejta e votimit një kategori e konsiderueshme qytetarësh.