E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dosjet", Berisha ndal hapin

Mazhoranca nis lëkundjet e para përballë ligjit të lustracionit. Presioni i përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë, por edhe institucioneve ndërkombëtare ka detyruar kreun e qeverisë, Sali Berisha, të ‘ndalë hapin‘ për ngritjen e Autoritetit të Verifikimit të Figurave. Kryeministri Berisha ka lënë të kuptojë dje se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit.

"Të jeni të bindur ju, se për forcën politike që unë kryesoj ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit, të kryera nga sistemi komunist, është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor", tha Berisha. Së pari, Kryeministri në deklaratën e tij sqaron se do të respektojë shtetin ligjor, çka nënkupton se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ‘dosjet‘ dhe së dyti bën me dije se ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit në periudhën para viteve ‘90 është një çështje e pakthyeshme për partinë Demokratike. Ajo që vlen të theksohet është toni i zbutur që kreu i qeverisë bëri për ligjin e ‘dosjeve‘ në krahasim me qëndrimin e dy ditëve më parë nga kryeparlamentarja Topalli se axhendës parlamentare do t‘i shkohet deri në fund. Duket qartë që qeveria ka vendosur të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese më pas të përcaktojë ngritjen e autoritetit të verifikimit të figurave. Në axhendën e seancës së sotme të Parlamentit, pika tetë e rendit të ditës përcakton zgjedhjen e anëtarëve të Autoritetit të Kontrollit të Figurës. Selia blu, përpos faktit që anëtarët e këtij autoriteti duhet të jenë me profesion jurist nuk ka të pacaktuar emrat konkretë me të cilët do të përfaqësohet. Një tjetër fakt, që tregon se Kryeministri do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese është se në deklaratën për vonesën e ngritjes së Institutit të Memories në Shqipëri, ai u shpreh se "Instituti po ngrihet. Ligji i lustracionit ka shkuar në Parlament, do të studiohet dhe do të shqyrtohet". Sipas tij, ky institut do të ketë si një nga qëllimet më madhore, krijimin e një qëndrimi të drejtë dhe të ri që buron nga dokumente ndërkombëtare që i ka firmosur Shqipëria, siç është Konventa e Gjenevës për dënimin e krimeve kundër njerëzimit, por që buron edhe nga vendosmëria e shqiptarëve për të ecur së bashku në respekt të njëri-tjetrit, në harmoni, në tolerancë, në mirëkuptim, në paqe sociale dhe këto kanë kusht dënimin e krimeve të shëmtuara kundër njerëzimit. Megjithëse duket se ka lëshuar pe, kreu i ekzekutivit ka adresuar kritika për ata që pengojnë dhe vonojnë nismën për të dënuar krimet e komunizmit. "Problemi është se në këtë vend janë ende të pranishëm mendësitë e mbrojtjes së krimeve kundër njerëzimit dhe parimeve barbare të luftës së klasave", tha ai.

Gjykata Kushtetuese

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë marrë në dorë ligjin e lustracionit bashkë me katër kërkesat që synojnë rrëzimin e këtij ligji. Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun e Gjykatës Kushtetuese. Të tjera burime pranë kësaj gjykate kanë sqaruar gjithashtu se shqyrtimi i ligjit të lustracionit kërkon kohën e duhur dhe se vendimi nuk do të merret ditën e sotme. Zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese bën me dije se në axhendën e sotme nuk është parashikuar një mbledhje që të shqyrtojë përfundimisht ligjin e lustracionit, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë pretendimet se verdikti për ligjin që verifikon zyrtarët e lartë do të jepet sot nga Kushtetuesja. Partia Socialiste, prokurorët, dhoma e avokatëve dhe Komiteti i Helsinkit kanë bërë ankimimet në Gjykatën Kushtetuese ndaj ligjit të lustracionit.

Gjykata Kushtetuese

"Po shqyrtojmë ankimimet"

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë nisur punën për shqyrtimin e ligjit të "dosjeve". Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun e Gjykatës Kushtetuese ka bërë me dije për "Shqip" se gjykatësit kanë marrë në dorë ligjin e lustracionit bashkë me katër kërkesat që synojnë rrëzimin e këtij ligji. Burime të tjera pranë kësaj gjykate kanë sqaruar se Gjykata Kushtetuese kërkon më shumë kohë për t‘u njohur me ligjin dhe bëjnë me dije se përpara mbledhjes që do të jetë transparente për publikun, çështja do të përfundojë në kolegj për diskutim

Kryeministri

"Do respektojmë shtetin ligjor"

Kryeministri lëshon pe përballë presionit të ndërkombëtarëve për lustracionin. Deklarata e tij se "Shteti ligjor është një kusht i këtij vendi, por, gjithashtu, kusht jetik është edhe ndarja nga kapitulli i komunizmit", ka treguar se Kryeministri do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të miratuar më pas ngritjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurave. Një tjetër shenjë që tregon tërheqjen e mazhorancës është fakti që emrat që duhet të zgjidheshin sot në seancën parlamentare ende nuk janë bërë publikë nga Partia Demokratike

Tahiri

Berisha, bajraktari i fundit komunist

Anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS, Saimir Tahiri, i është kundërpërgjigjur dje Kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, bajraktari i fundit komunist në pushtet në Evropën ish-komuniste, duhet të kuptojë se krimet e komunizmit nuk dënohen me metoda komuniste. "Sali Berisha bajraktari i fundit në pushtet në Evropën që doli nga diktatura e sekretarëve të partisë, duhet të kuptojë se krimet e komunizmit dënohen duke mbrojtur parimet e vlerat e familjes evropiane, jo duke mbrojtur familjen politike nga drejtësia", theksoi Tahiri



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›