E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Qeveria ka lënë pas dore tërësisht bujqësinë

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me anëtarë dhe simpatizantë në qytetin e Lushnjës. Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe anëtar i Kryesisë së LSI, Albert Sanxhaku, u shpreh se LSI është jo vetëm një forcë e re dhe një forcë e madhe, por është forca e ndryshimit, e integrimit dhe progresit. Meta, u shpreh i kënaqur që ndodhej në këtë takim, që mbahet në pallatin që mban emrin e Artistes së Popullit, "Vaçe Zela". Duke folur për projektligjin e LSI për kujdesin ndaj moshës së tretë, i cili nuk u miratua nga deputetët e mazhorancës aktuale, Meta theksoi se "pak ditë më parë pas më shumë se një viti, Kryetarja e Parlamentit, e cila shkeli të gjitha procedurat pranoi të fuste për diskutim projektligjin për kujdesin ndaj moshës së tretë të hartuar nga LSI-ja dhe sindikata e pensionistëve". Por Topalli, vijoi ai, u kujdes që kjo seancë të mos jepej nga asnjë televizion. Meta sqaroi se "qeveria jonë, e cila harxhon para pa fund për gjëra krejtësisht të panevojshme, injoron 380 mijë pensionistë, kur ndërkohë fatura financiare për këtë projektligj ishte vetëm 60 milionë dollarë", theksoi Meta. Ai u ndal edhe në gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot bujqësia dhe alternativat dhe programin konkret që LSI do të ketë për të zhvilluar këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›