E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama sulmon nga qyteti i Skraparit politikën e vjetër

Kreu i socialistëve, Edi Rama, deklaroi dje se politika e re nuk i konsideron Skraparin apo Shkodrën si bastione të atyre që zgjidhen, por si bastione të atyre që zgjedhin. Sipas tij, kjo politikë nuk e konsideron Skraparin dhe Shkodrën si bastione të atyre që përfaqësojnë njerëzit, por të njerëzve që meritojnë të përfaqësohen më mirë, më denjësisht dhe që meritojnë që me votën e tyre, të marrin mbrapsht ato për të cilat votojnë. "Nuk kam ardhur këtu për ta ndarë, por për ta bashkuar Skraparin. Nuk kam ardhur këtu për t‘ju thënë pse nuk duhet të shikoni majtas dhe djathtas, por kam ardhur për t‘ju thënë pse duhet të shikojmë drejtë e përpara, për një politikë të re, e cila nuk është e politikanëve, por e qytetarëve", u shpreh Rama. Ai ftoi të pranishmit të bëhen zëdhënës të nevojës për ndryshim, që edhe Skrapari si gjithë Shqipëria, ka nevojë për 18 vjet, duke u bërë lajmëtarë të rrugës së ndryshimit, se në Shqipëri nuk mund të duroni edhe 4 vite të tjera në keqqeverisje. "Ne dhe ju së bashku, do ta bëjmë të mundur ndryshimin më 28 qershor dhe do ta garantojmë për 4 vjet me radhë, përmes një qeverie që do të jetë e juaja, me ju dhe për ju", theksoi Rama. Ju them qytetareve e qytetarëve të Çorovodës dhe Skraparit, vijoi ai, se këto 10 km të fundit të rrugës për të ardhur deri këtu ne do t‘i bëjmë. "Këto pak km janë fytyra e politikës së votuar 18 vjet me radhë prej jush. Por gjithashtu do të ndërtojmë dhe rrugën për të dalë te 3 Urat", premtoi Rama. Në vlerësimin e kreut të socialistëve askush nuk mund ta besonte në lindjen e demokracisë, se Skrapari i 18 viteve më vonë, do të ishte vend i një papunësie të madhe dhe një varfërie që ndihet kudo. "Kush mund ta dinte se edhe 18 vjet pas lindjes së demokracisë, arratia nga Shqipëria do të mbetej ilaçi i vetëm i qindra mijëra familjeve të varfra, të papuna, të pashpresa", insistoi Rama. 132 ditë nga sot, tha lideri i opozitës, ne së bashku do t‘i japim përsëri rrugë ëndrrës evropiane të marrë peng nga politika e vjetër e interesave dhe pazareve personale majtas e djathtas.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›