E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërmjet xhamisë dhe mini fundit

Melda Akbas është një gjermane 19 vjeçare, me prejardhje turke, e cila flet hapur për jetën në një familje emigrantësh turq në Gjermani. Ajo ka shkruar një libër, të cilin e ëma e ka lexuar tri herë deri më tash, por jo edhe i ati. Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 15:45

“Quhem Melda, e di që është emër i pazakonshëm. Jam turke, për këtë shkak dhe quhem kështu. Në turqisht, ’melda’ do të thotë e re, e freskët. Krejt kjo më përshtatet për merak“.
Në teatrin Talia të Hamburgut, Melda Akbas prezantoi para publikut librin me titull “Kështu më pëlqen - jeta ime ndërmjet xhamisë dhe mini fundit“. Ajo i ka 19 vjet dhe muajt e fundit ka marrë pjesë në më shumë se 70 mbrëmje letrare. “Më pëlqen shumë kjo që bëj, mbrëmjet e tilla ngjallin debate“, thotë ajo.
Pas leximit të pjesëve të librit, publiku dëshiron të marrë autogram nga autorja, kurse vajzat të fotografohen me të. Për to, Melda është shembull, pasi që ka guximin që hapur të flasë për jetën e saj në një familje emigrantësh turq në Gjermani.
Melda shkruan ”pa dorëza“ se si iu ka rezistuar prindërve të saj dhe ka luftuar t’i realizojë dëshirat e veta. Ajo shkruan edhe rreth gjërave, për të cilat spara ka biseduar me prindërit, si psh. puthjen e parë dhe faktin se pi alkool.

“Dua të shpërngulem”

Melda tashmë është mësuar të jep intervista dhe të përgjigjet njësoj dhjetëra herë, në të njëjtat pyetje.
“Vazhdimisht më pyesin çfarë mendojnë prindërit e mi për librin, nuk mund t’i shmangem kësaj pyetjeje“.
E ëma e ka lexuar librin tri herë, por jo edhe i ati.
“Megjithatë, babai ka bërë një hap të madh kur ka thënë se më mbështet dhe se nuk i intereson çfarë mendojnë të tjerët për mua. Botimi i librit tim nuk e ka lënduar, megjithëse ai e ka të vështirë ta kuptojë gjithë këtë muhabet“.
Prindërit e Meldës kanë mësuar nga libri i saj se vajza dëshiron ta braktis shtëpinë.
“Moti e kam dëshiruar këtë gjë, por kjo s’ka lidhje me ‘kryengritjen’ time. Thjesht, në shtëpi nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Natyrisht, kam pasur shumë konflikte me prindërit rreth këtij vendimi. Më kanë thënë se më parë do ta largojnë vëllanë nga shtëpia, sesa që të më lejojnë mua të ik, por unë ia kam dalë të fitoj betejën me ta“. (DW)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›