E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i dërgon Sarkozisë mesazh ngushëllimi



Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi presidentit të Francës, Nikola Sarkozi, përmes të cilit i shpreh ngushëllimet e tij më të sinqerta dhe dhimbjen e thellë për aksidentin e rëndë tragjik të rënies së avionit të “Air France”.
“I dashur zoti President, lajmi i zhdukjes në oqean i avionit të ‘Air France’ me 228 pasagjerë në bord ishte një lajm shokues për mua dhe për qeverinë time. Me këtë rast, unë Ju përcjell Ju, zoti President, qeverisë Suaj, kombit mik francez dhe familjarëve të të humburve ngushëllimet më të sinqerta. Shqiptarët ndajnë me ju dhimbjen e thellë për aksidentin tragjik dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e merituar.
Me respekt Sali Berisha”, - shkruan kryeministri shqiptar.

Topi uron Presidentin italian, Napoletano, për Festën Kombëtare të Italisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh urimi Presidentit të Republikës italiane, Xhorxho Napolitano, me rastin e Festës Kombëtare të Italisë.
Në mesazhin e tij presidenti Topi i shpreh popullit mik italian urimet më të sinqerta e miqësore për lumturi e begati. “Shpreh bindjen se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve midis dy popujve dhe vendeve tona, të bazuara në lidhje tradicionale historike e kulturore, do të forcohen e zhvillohen më tej në të ardhmen, në interes të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat”, - thuhet në mesazhin e urimit të presidentit Topi. Duke vlerësuar lart mbështetjen që Italia vazhdon t’i japë Shqipërisë në hapat e saj drejt integrimit euroatlantik, si dhe përfshirjen e saj sa më të shpejtë në familjen europiane, kreu i shtetit shpreh angazhimin për të vazhduar përpjekjet serioze dhe për të ecur me vendosmëri drejt kësaj rruge.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›