Kartat, faktori ndërkombëtar kërkon informacion nga Ministria e Brendshme
Çështja e kartave të identitetit dhe dalja në dritë e fakteve që kanë të bëjnë me falsifikimin dhe manipulimin me to, kryesisht me numrin e votuesve pa pasaportë, ka vënë në lëvizje edhe faktorin ndërkombëtar që merret me monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Përfaqësitë diplomatike të vendeve perëndimore në Tiranë, zyra e OSBE-së dhe misioni i ODIHR-it janë njohur vazhdimisht me shqetësimet e opozitës në lidhje me pamundësinë e pajisjes së të gjithë shtetasve pa pasaportë me karta identiteti. Por tashmë faktori ndërkombëtar nuk po përballet vetëm me këtë shqetësim, por edhe me faktin se Ministria e Brendshme ka rritur në mënyrë artificiale numrin e shtetasve pa pasaportë, duke lënë shkas për dyshime që kanë të bëjnë me manipulimin e zgjedhjeve. Një gjë e tillë u denoncua nga Partia Socialiste pas verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga Ministria e Brendshme. Pasi ka bërë këtë denoncim, selia rozë ka deklaruar se që nga dita e djeshme do t’u paraqiste institucioneve ndërkombëtare faktet e pakontestueshme që kanë të bëjnë me çështjen e kartave, të cilat, rrjedhimisht, përbëjnë rrezikun kryesor për dështimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mësohet se edhe misioni i OSBE-së në Shqipëri ka kërkuar nga Ministria e Brendshme informacione lidhur me ecurinë e procesit të aplikimeve dhe numrin e votuesve pa pasaportë, për të ballafaquar me shifrat. Përballë skepticizmit dhe denoncimit të opozitës duket se tashmë faktori ndërkombëtar do të vihet në lëvizje për të gjetur një zgjidhje që do t’i shpëtonte zgjedhjet nga dështimi.
3 Qershor 2009