Topalli e Topi takojnë kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Italisë, Vinçenzo Karbone
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Italisë, Vinçenzo Karbone. Gjatë këtij takimi palët kanë biseduar për reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe marrëdhëniet midis dy vendeve. “Ne kemi ofruar të gjithë bashkëpunimin tonë për një partneritet mes gjykatave italiane dhe atyre shqiptare edhe përmes shkëmbit të përvojës mes gjyqtarëve nga të dyja vendet. Ne mirëpresim Shqipërinë të bëhet së shpejti anëtare e Organizatës së Gjykatave të Kasacionit të Europës”, - tha Karbone. “Forcimi i sistemit gjyqësor ka qenë një sfidë e jona. Në këto katër vite kemi bërë reforma të mëdha ligjore. Kemi përmirësuar ndjeshëm legjislacionin, duke e përafruar me atë europian. Shqipëria është tashmë pjesë e familjeve të mëdha europiane dhe euroatlantike. Jemi anëtarë të NATO-s dhe shumë afër BE-së. Shqipëria ka ndryshuar. Reformat fiskale, dyfishimi i rrogave, ulja e taksave, rritja e investimeve kanë bërë që Shqipëria të ecë me ritme të mëdha zhvillimi”, - është shprehur Topalli.
Kryetari e Gjykatës së Kasacionit të Republikës italiane është pritur dje në një takim edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë bisedës, në cilësinë edhe të kryetarit të KLD-së, presidenti Topi vuri në dukje se në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të Shqipërisë në familjen europiane, zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend, është një detyrim përparësor, për të cilat shteti dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara maksimalisht, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në sistemin e Drejtësisë. Kreu i shtetit, duke nënvizuar rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tij në vendin tonë si dhe puna dhe profesionalizmi i juristëve, të cilët, duke kryer me dinjitet, kurajë civile dhe paanshmëri detyrat institucionale, kontribuojnë thellësisht në forcimin e shtetit të së drejtës, vlerësoi gjithashtu kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e Drejtësisë shqiptare.
Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Republikës italiane, Vinçenzo Karbone, në emër edhe të delegacionit që e shoqëron, shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe garantoi përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare.
3 Qershor 2009