E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi merr rolin e moderatorit mes Ivanovit dhe Sejdiut

Presidenti shqiptar pret në një takim në Durrës homologun maqedonas. “Kosova e pavarur duhet të jetë pjesë e tryezave të diskutimit rajonal”

Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ndërmarrë rolin e moderatorit të marrëdhënieve midis presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Gjatë ditës së djeshme, presidenti Topi ka pritur në një takim kokë më kokë presidentin e Maqedonisë, Ivanov. Ky takim është zhvilluar me kërkesë të presidentit të Maqedonisë, i cili ka kaluar transit në vendin tonë për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridoret Kulturore në Europën Juglindore “Administrimi i shumëllojshmërisë kulturore dhe promovimi për qëllime turistike”, që pritet të zhvillohet sot në Cetinjë të Malit të Zi. Takimi mes dy presidentëve, atij shqiptar dhe atij maqedonas, vjen në një moment ku marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Kosovës janë lëkundur. Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Prishtinës janë të acaruara për shkak të refuzimit të ftesës nga presidenti Sejdiu për të vizituar Shkupin. Refuzimi erdhi pasi Ivanov ndryshoi axhendën e takimit, duke mos i bërë një pritje zyrtare. Po kështu, presidenti Sejdiu nuk u ftua as në ceremoninë e përurimit të Gjorgje Ivanovit si president i Maqedonisë, pasi në ceremoni ishte i pranishëm presidenti serb, Boris Tadiç.
Biseda
Gjatë takimit të zhvilluar dje në Durrës mes presidentit shqiptar dhe atij maqedonas, biseda është përqendruar pikërisht në çështjen e Kosovës. Presidenti Topi ka vënë theksin se pavarësia e Kosovës tashmë është një fakt i kryer që ka sjellë ndryshime në gjeopolitikën e rajonit të Ballkanit dhe duhet të trajtohet si një shtet i pavarur. Gjatë këtij takimi presidenti Topi ka kërkuar që Kosova të jetë pjesë e tryezave të diskutimit rajonal, ashtu siç janë pjesë shtetet e tjera të pavarura të rajonit të Ballkanit. “Republika e Kosovës po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumetnik dhe se mbështetja e vendeve fqinje duhet të marrë karakterin e partneritetit reciprok si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë diplomatik e politik, në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë”, – është shprehur Topi në këtë takim. Më tej, presidenti Topi theksoi nevojën e përfshirjes së Kosovës në tryeza, forume dhe projekte të përbashkëta rajonale “duke qenë se kjo do t’i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, me synim integrimin e përbashkët në strukturat euroatlantike dhe familjen e madhe europiane”.
Gjatë bisedës dy personalitetet e larta kanë vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, Shqipëri-Maqedoni, duke shprehur vullnetin politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat, si dhe angazhimi i përbashkët në interes të proceseve rajonale të integrimit euroatlantik.
Marrëdhëniet
Qeveria e Maqedonisë e ka njohur shtetin e ri të Kosovës dhe pavarësinë e saj, por në asnjë takim zyrtar nuk janë ftuar të marrin pjesë krerët më të lartë të Kosovës. Kjo dhe për faktin se Maqedonia është një ndër republikat e ish-Jugosllavisë dhe marrëdhëniet e saj janë më të afërta me Serbinë sesa me Kosovën.
Vetëm pak kohë më parë presidenti i Maqedonisë i bëri ftesë presidentit të Kosovës për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Shkup. Por ftesa u refuzua nga presidenti Sejdiu në momentin kur Maqedonia ndryshoi axhendën e takimit duke mos parashikuar pritje zyrtare për presidentin Sejdiu. Presidenti Ivanov ka shprehur keqardhjen për anulimin e vizitës së Sejdiut në Shkup, megjithatë nuk e komentoi më tej. Por takimi mes presidentit Topi dhe presidentit Ivanov pritet të ulë tonet e deklaratave midis dy vendeve.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›