E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i heq Mustafajt postin e sekretarit në PD

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Berisha shkarkon Besnik Mustafajn nga posti i sekretarit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Partinë Demokratike. Pasi dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Jashtëm si pasojë e kontradiktave me kreun e ekzekutivit, deputeti i PD-së dhe një prej themeluesve të kësaj partie, detyrohet të lërë edhe postin e marrë pas Kuvendit të vitit 2005. Vendin e tij do ta zërë kryetari aktual i forumit rinor të PD-së, Gerti Bogdani.
Shkarkimi
Kritikat e ish-ministrit të Jashtëm ndaj lidershipit të PD-së kanë thelluar çarjen mes tij dhe Kryeministrit Berisha. Statuti i Partisë Demokratike parashikon që dy prej posteve drejtuese të kësaj partie, sekretari i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zëdhënësi të emërohen nga kryetari i partisë dhe jo të dalin përmes votimit nga Këshilli Kombëtar. Berisha i është referuar pikërisht kësaj pike të statutit për të larguar Mustafajn nga pozicioni që e mori katër vjet më parë. “Kryetari kryeson organet qendrore të partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson partinë në të gjitha aktet e jetës civile. Ai emëron zëdhënësin e shtypit të partisë si dhe sekretarin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, thuhet në pikën 1 të nenit të nenit 46 në kapitullin “Kryetari i Partisë”. Brenda një kohe të shkurtër Kryeministri Berisha ka emëruar edhe zëvendësuesin e Mustafajt, i cili është ish-zëdhënësi i PD-së dhe kreu i njësisë bashkiake nr. 10 Gerti Bogdani. Pak ditë më parë gjatë një takimi elektoral në qytetin e Korçës kryeministri Berisha e prezantoi Bogdanin para të rinjve edhe si kreun e forumit rinor të kësaj partie, duke i dhënë fund hamendësive për pasardhësin e Sokol Olldashit në këtë strukturë të partisë. Zëvendësimi i Mustafajt në sekretariatin e PD-së nuk është precedenti i parë, që ndodh në këtë parti gjatë këtyre katër viteve. Rreth tre vjet më parë, kryesia e Partisë Demokratike vendosi të ngrijë Spartak Ngjelën, i cili mbante në atë kohë postin e sekretarit për marrëdhëniet me publikun në PD, të fituar pikërisht nga votimi i Këshillit Kombëtar. Ngjela u akuzua nga Kryeministri Berisha se ka nxjerrë në media një bisedë të incizuar mes tyre në zyrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Mustafaj
Ish-ministri i Jashtëm dhe kandidati për kryetar të PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj ka qenë një nga të paktët deputetë, që ka kritikuar publikisht disa qëndrime të lidershipit demokrat. Vetëm në daljen e fundit në media, ai akuzoi Kryeministrin Berisha se ka shkelur standardet, teksa deklaroi se Aldo Bumçi është një kandidat i shkëlqyer për të drejtuar PD-në e Tiranës. “Është shkelje e standardeve. Por unë ende s’kam bindjen se kjo shkelje e standardeve është aq e rëndë sa zhduk mundësinë e garës. Unë besoj te gara. Qëndrimi im i fundit do të jetë kur të kem listat e atyre, që do votojnë për kreun e PD-së së Tiranës”, u shpreh Mustafaj. Në të njëjtën kohë ai ka akuzuar kreun aktual të PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi se po ndërhyn në listat e delegatëve të kuvendit të kësaj dege, ndërsa për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se nuk do ta votonte për pasardhëse të Berishës. “Unë nuk ia jap votën në qoftë se kandidon. Unë nuk shoh akoma asnjë. Nuk hyn te preokupimet e mia kjo përgjigje. Zotin Basha nuk e kam dëgjuar ndonjëherë që të shpall gjykimin tim. Mendoj se zonja Topalli e perceptoi keq, krejt gabimisht. Nuk ka asnjë rivalitet mes meje dhe zonjës Topalli. E perceptoj sikur unë i prishja punë asaj. Këto lloj veprimesh zakonisht kryhen nga njerëz, që nuk prodhojnë vetë politikë”, theksoi më tej Mustafaj.

Statuti i PD
Ligji që rregullon funksionimin e Partisë Demokratike parashikon në një nga pikat e tij se posti i sekretarit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ai i zëdhënësit të shtypit janë emërime të kryetarit të partisë dhe për to nuk kryhet votim. “Kryetari kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson partinë në të gjitha aktet e jetës civile. Ai emëron zëdhënësin e shtypit të partisë si dhe sekretarin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, thuhet në pikën 1 të nenit të nenit 46 në kapitullin “Kryetari i Partisë”.

Bumçi
Duke komentuar garën për kryetarin e PD-së së Tiranës, Kryeministri Berisha theksoi pak ditë më parë se zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi është një kandidaturë e shkëlqyer. “Është një garë e hapur. Statuti ka një nen që kryesia përzgjedh kandidatët. Baza do jetë ajo që do votojë dhe ka kandidatura të shkëlqyera, siç është Aldo Bumçi”, u shpreh Berisha. Ndërsa për kandidaturën e Mustafajt ai tha se “Ju mendoni se ai do përjashtohet nëse ka dëshirë? Absolutisht jo”.

Tirana
Dega e Partisë Demokratike në Tiranë pritet të jetë dega e fundit ku do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin. Deri tani janë zgjedhur kryetarët e rinj në thuajse 95% të degëve, ndërkohë që ende pa votim janë degët e Kavajës, Shkodrës, Tiranës dhe disa grupseksione në kryeqytet. Burimet bëjnë të ditur se zgjedhjet në këto struktura të Tiranës janë drejt fundit dhe sapo të mbyllen ato do të thirret kuvendi i degës më të madhe të PD-së. Mësohet se zgjedhjet për pasardhësin e Olldashit do të zhvillohen në muajin maj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›