Meta: Do lehtësojmë biznesin nga taksat për çdo vend të ri pune
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrimi, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim të zgjeruar me qindra banorë të komunitetit të Laprakës në Tiranë. Në këtë takim, ku shoqërohej nga krerët e LSI-së së Tiranës, Meta ka shpalosur pjesë të rëndësishme të programit qeverisës të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në qendër të programit të LSI-së është zbutja e varfërisë. “Si ekonomist dhe si politikan, unë dua t’ju siguroj që ne kemi një plan të qartë konkret dhe të efektshëm për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie. Në këtë drejtim ne do të rishikojmë politikën e taksave për të ardhurat e individit, duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat të gjitha pagat deri në 25 mijë lekë të reja në muaj”, premtoi Meta. Më pas duke shpjeguar programin e LSI-së, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim shtoi se, kjo forcë është e vendosur të ndjekë politika të tjera, të cilat kanë të bëjnë me uljen e ndjeshme të TVSH-së, sidomos për dymbëdhjetë produktet bazë të ushqimit, gjë që do ndihmojë në uljen dhe në stabilizimin e çmimeve. Për ish-kryeministrin e vendit, ajo që është më e rëndësishme, janë politikat që LSI-ja do të ndjekë për të ulur varfërinë përmes politikave të punësimit. Kjo është sfida më e madhe u shpreh ai, dhe kjo sfidë kërkon në radhë të parë gjallërimin e biznesit. “Për çdo vend të ri pune që do të krijohet ne do të stimulojmë në mënyrë konkrete biznesin duke e lehtësuar nga taksat dhe tatimet. Për çdo vend të ri pune, ne do t’i shprehim mirënjohjen tonë biznesit vendas apo të huaj jo me fjalë, por me politika konkrete, tatimore dhe fiskale. Pra, për çdo biznes të ri që do punësojë më shumë sesa pesë veta, ne do të heqim tatim-fitimin për tre vitet e para, si një masë lehtësuese. Ndaj ne jemi të sigurt se me politika konkrete dhe me vepra konkrete, do të arrijmë që t’ju japim mundësi të gjithë shqiptarëve, që sot janë të përjashtuar nga kjo e drejtë”, tha Meta. Ndaj, tha ai, është koha për “bonus jetik”, që është programi ynë kundër varfërisë në të gjitha drejtimet, që nga dyfishimi i ndihmës ekonomike, që nga miratimi i ligjit për moshën e tretë, që nga transporti urban dhe ndërurban dhe deri te rimbursimi i ilaçeve dhe shërbimeve të tjera.