KQZ, në lista të veçanta votimi 7 mijë policë e ushtarakë
BLEDAR HOTI
Në ditën e votimeve rreth 7 mijë policë dhe ushtarakë që do të merren me ruajtjen e objekteve nuk do të kenë mundësinë që të votojnë në qendrat e banimit, por në vendet kur do të kryejnë shërbimin. KQZ-ja miratoi dje me 7 vota pro vendimin për udhëzimin “Për Procedurat e heqjes së zgjedhësve që shërbejnë në Forcat e Armatosura e në Forcat e Policisë së Shtetit nga listat e zgjedhësve të vendbanimit të tyre”. Në ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor një numër i konsiderueshëm policësh, apo ushtarakësh do të jenë të angazhuar për ruajtjen e objekteve dhe të Qendrave të Votimit. Pikërisht në ditën e 28 qershorit ato do të votojnë në qendrat ku kryejnë shërbimin, pranë KQV të punës fillimisht. “Kryetarët e njësive përkatëse të qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, pasi verifikojnë nëse zgjedhësit e kërkuar janë në listën e zgjedhësve të asaj njësie, marrin vendim për heqjen e këtyre zgjedhësve nga lista e zgjedhësve të vendbanimit të tyre”, thuhet në pikën 2 të vendimit. Ministrat e Brendshëm dhe të Mbrojtjes, Bujar Nishani dhe Gazmend Oketa, 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve duhet të paraqesin përpara Drejtorisë së Gjendjes Civile emrat e ushtarakëve që do të jenë në shërbim në ditën e zgjedhjeve. Pas kësaj, në listën përfundimtare të zgjedhësve, Zyra e Gjendjes Civile i heq ato duke i përfshirë në një listë të veçantë. Sipas pikës 3 të Udhëzimit saktësohet se “Vendimi hartohet në tri kopje, nga të cilët, njëra afishohet së bashku me listën përfundimtare të zgjedhësve, njëra ruhet pranë organit vendimmarrës së bashku me kërkesën e dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kopja e tretë, brenda 2 ditëve nga marrja e vendimit, i dërgohet kësaj të fundit”.
Vendet e Numërimit të Votave
KQZ miratoi dhe vendimin për caktimin e Vendeve të Numërimit të Votave. Në shqyrtimin e pikës së planvendosjes është përcaktuar se vëzhguesit nuk duhet të pengojnë procesin e numërimit të votave. Përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho kërkoi që vëzhguesit e partive të jenë 1 metër larg tavolinës së numërimit të votave, por kjo nuk u pranua nga ana e anëtarëve të KQZ-së. Kjo për faktin se një gjë e tillë mund të pengonte procesin e numërimit të votave, si dhe nga fakti se procesi do të filmohet nga kamerat. Grupe numërimi të Votave sipas VNV-ve do të ngrihen nga dy, më pas kjo varion nga pesë deri në dhjetë grupe. Një grup numërimi do të ketë 4 anëtarë, dy zgjidhen nga PS dhe PD, ndërsa dy të tjerët me vendim të KQZ-së. Partia politike, e cila ka propozuar zëvendëskryetarin e KZAZ-së, ka të drejtën të paraqesë propozime për numëruesin e parë të grupeve “tek” të numërimit të votave dhe sekretarin e grupeve “çift” të numërimit të votave.
pjese nga vendimi
Neni 2
Kryetarët e njësive përkatëse të qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, pasi verifikojnë në se zgjedhësit e kërkuar janë në listën e zgjedhësve të asaj njësie, marrin vendim për heqjen e këtyre zgjedhësve nga lista e zgjedhësve të vendbanimit të tyre.
Neni 3
Vendimi hartohet në tri kopje, nga të cilët, njëra afishohet së bashku me listën përfundimtare të zgjedhësve, njëra ruhet pranë organit vendimmarrës së bashku me kërkesën e dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kopja e tretë, brenda 2 ditëve nga marrja e vendimit, i dërgohet kësaj të fundit.