E Diel, 1 Nëntor 2026

Rraklli rikthehet në fushë, firmos për një skuadër gjermane

 

Altin Rraklli kthehet në futbollin e luajtur. Pasi u dha lamtumirën fushave në vitin 2007, kur militonte me skuadrën e vendlindjes, Besa, ish-”bomberi” i Kombëtares ka vendosur të luajë përsëri. 38-vjeçari ka nënshkruar një kontratë me klubin e Ligës amatore në Bavari, SpVgg Bajern Hof. Rraklli do të mbahet mend gjatë në Gjermani në ndeshjen e 20 majit mes Bajer Leverkusenit dhe Unterhaçingut, kur detyroi Mikael Balakun që të shënonte autogol në portën e tij, çka i kushtoi titullin kampion skuadrës së “aspirinave”. Në atë ndeshje mjaftonte që Bajer Leverkuseni të mos humbte, pra të merrte edhe një barazim, por ata humbën përballë Unterhaçingut për një autogol të Balakut, i cili u shkaktua nga një përplasje mes mesfushorit gjerman dhe Altin Rraklllit. “Unë jam në një formë të shkëlqyer dhe dëshiroj të luaj. Sigurisht që nuk jam më ai i 10 viteve më parë, por ama kam shumë dëshirë që të luaj dhe mund të them se futbolli më ka munguar shumë gjatë kësaj periudhe. Futbolli është jeta ime dhe e kuptova se e kam shumë të vështirë të shkëputem nga ky sport”, ka thënë Rraklli për mediat gjermane. Më tepër se sa për arsye sportive, qëndrimi i tij në Gjermani ka të bëjë edhe me faktin që në këtë mënyrë, sulmuesi mund të jetë më pranë bizneseve të tij në Gjermani dhe pikërisht në zonën e Bavarisë. Atje shqiptari ka dy restorante. “Altini ndodhej të premten në stadium, por u detyrua ta ndiqte takimin me Ingolstadt nga shkallët, sepse zyrat e Federatës Bavareze mbylleshin në drekë dhe procedurat për regjistrimin e tij nuk përfunduan në kohë. Ndoshta ai do të luajë që prej së mërkurës”, tha trajneri Voigt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›