Berisha në Kinë edhe për komisionin e festës
Në ditën e fundit të vizitës së tij në Kinën e largët Kryeministri Berisha është takuar edhe me homologun e tij Wen Jiabao. Krerët e qeverive të dy vendeve kanë vlerësuar nivelin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës dhe kanë rënë dakord për të organizuar veprimtari kulturore për 60-vjetorin e këtyre marrëdhënieve. “Të dy kryeministrat u shprehën se forcimi i marrëdhënieve kulturore është shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst, të dy palët ranë dakord të organizojnë veprimtari kulturore për të kremtuar 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Këshillit të Ministrave. Gjatë takimit, dy kryeministrat diskutuan për zgjerimin dhe intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit dypalësh, si dhe nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij që Kryeministri Wen Jiabao ka pranuar të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Në diskutimet që patën, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Jiabao u ndalën gjerësisht në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë. “Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë çdo lehtësi për bizneset kineze, që ato të investojnë në Shqipëri. Kryeministri shprehu kënaqësinë që gjatë vizitës në Parkun e Teknologjisë së lartë të Shenzhenit, një ndër më të mëdhenjtë në botë, pati takime me drejtuesit e dy korporatave më të mëdha të këtij parku, ZTE dhe Huawey, të cilat tashmë operojnë me sukses në Shqipëri dhe kanë vendosur ta bëjnë Shqipërinë qendrën rajonale të bizneseve të tyre”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Nga ana e tij kryeministri kinez u shpreh se një delegacion ekspertësh nga Kina do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë për të diskutuar mbi projektet në fushën e bujqësisë dhe brenda vitit do të mblidhet në Pekin, komisioni i përbashkët i punës. Gjithashtu, Kina do të shqyrtojë kredi të buta për projektet e modernizimit të doganave, në fushën e shëndetësisë, arsimit etj., si dhe do t’i akordojë Shqipërisë një grant prej 10 milionë Jen. Të dyja palët u shprehën se Kina dhe Shqipëria ndajnë interesa dhe pikëpamje të njëjta në planin ndërkombëtar. “Kryeministri Berisha pasi rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë për një Kinë të vetme dhe vlerësoi Kinën si një faktor paqeje dhe stabiliteti në botë, u shpreh se pavarësia e Kosovës i shërben forcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.