E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari i SMS: Kapllanaj më kërcënoi me jetë!

 

Një mesazh i dërguar nga telefoni i tij, për pak sa nuk shpërtheu një skandal të tipit “Calciopoli” në futbollin shqiptar. Emiljano Biçaku, gjyqtari anësor me stemën e FIFA-s, është bërë protagonist i një përplasjeje të fortë dhe tronditëse mes klubit të Bylisit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Pas disa polemikave të ashpra që ka pasur me kreun e klubit ballshiot, Besnik Kapllanajn, Biçaku i ka dërguar një “sms” atij, duke i thënë se duhej të merrej me Armandin (Dukën) dhe arbitrin Albano Janku, pasi ai vetë nuk kishte gisht në ndonjë komplot kundër ekipit të Bylisit. Gjithçka ka ndodhur pas ndeshjes Bylisi-Flamurtari, 1-1, e luajtur më 11 prill, ku Kapllanaj ka mbetur i pakënaqur nga gjykimi i anësorit dhe e ka akuzuar Biçakun si levë të presidentit të FSHF-së. Debati dhe presionet në telefona sipas Biçakut kanë zgjatur për disa ditë, aq sa më në fund ai për ta “hequr qafe” presidentin e Bylisit i ka dërguar një mesazh ku i kërkonte që inatet me federatën t’ua nxirrte drejtuesve të saj dhe jo gjyqtarëve. Në fakt, konteksti i atij mesazhi linte hapësira për interpretime dhe drejtuesit e Bylisit janë të bindur se ajo është një provë e qartë ku vërtetohet se arbitrat udhëzohen nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për t’i nxjerrë ndeshjet ashtu siç dëshiron ai. Në një intervistë për “Panorama”, gjyqtari Biçaku rrëfen të vërtetën e atij mesazhi. “Kapllanaj më kërcënoi me jetë, ndaj i dërgova atë ‘sms’, - ka thënë arbitri. - Asnjëherë nuk e mendoja se do të mbërrinim deri në këtë pikë. Ishte thjesht një reagim jo fort i mirë nga ana ime, por duhet të më kuptoni drejtë se isha nën një presion shumë të madh. Besnik Kapllanaj, presidenti i Bylisit. Më mori në telefon që një ditë para ndeshjes. Nuk ia njihja numrin dhe e hapa telefonin. M’u prezantua dhe filloi të më thoshte se duhej të bëja kujdes të nesërmen, pasi, sipas tij, unë isha një i dërguar i Armand Dukës dhe iu bindesha urdhrave të tij. Ia preva shkurt, duke i thënë se po fliste broçkulla dhe se në punën time nuk influencon askush. Megjithatë, ai vazhdoi me presionet duke më thënë se nëse nuk do të gjykoja “mirë”, atëherë nuk dilja gjallë nga stadiumi. Fjalë të tilla në fillim nuk më bënë shumë përshtypje, pasi kjo ndodh shpesh me presidentët”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›