Berisha i kërkon PS-së të zbatojë paktin për reformën në drejtësi
Ndërsa ka vlerësuar konsensusin e arritur me Partinë Socialiste për miratimin e Kodit Zgjedhor, kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës që të respektojë paktin dhe të miratojë projektligjet, pjesë të reformës në drejtësi. Këtë deklaratë, Berisha e ka bërë gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së. “Pati një rëndësi shumë të madhe fakti që Kodi Zgjedhor u miratua rreth tetë muaj para zgjedhjeve. Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Parlamenti ka votuar një pakt për sistemin në drejtësi dhe ne i qëndrojmë atij. Ne do ta vazhdojmë reformën dhe unë e ftoj opozitën, në interesin më të mirë të vendit dhe të të gjitha forcave politike pa përjashtim, t’i përmbahet paktit të votuar në Parlament. E garantoj se ne jemi të vendosur t’i kalojmë këto ligje me konsensusin më të gjerë të mundshëm”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu theksoi se pavarësisht se është një vit zgjedhor, reformat do të vazhdojnë në sektorë të ndryshëm, si në shëndetësi, në ekonomi, në Forcat e Armatosura etj. Berisha bëri të ditur se shumë shpejt do të sjellë në Kuvend ligjin për lejet e ndërtimit. Kryeministri tha se reforma në shëndetësi është e vonuar, por qeveria është vendosur të procedojë me të. “Këtu theksoj se ka pasur një vonesë, të cilën duhet ta njohim dhe është një vonesë e krijuar nga disa faktorë. Së pari, ne gjetëm në faliment të plotë mekanizmin financiar të sistemit shëndetësor. Ai ishte në faliment të plotë dhe ishte pikërisht për shkak të fushatës elektorale që parapriu ardhjen tonë në pushtet. Mungon një përllogaritje e saktë e çmimit të shërbimeve, e çmimit të kartelave dhe e çmimit të procedurave”, - është shprehur kreu i qeverisë. Ai gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të miratojë ligjin për taksat vendore që është paraqitur nga qeveria në parlament.
Projektbuxheti merr 77 vota pro, opozita kundër, akuza qeverisë për abuzime
Demokratët miratuan dje parimisht me 77 vota pro projektbuxhetin për vitin 2009. Opozita votoi kundër projektit të paraqitur nga qeveria me 45 vota kundër. Ditën e enjte, deputetët do të miratojnë në tërësi projektbuxhetin. Deputetët e opozitës gjatë diskutimit akuzuan qeverinë për abuzime me fondet. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka bërë të ditura abuzimet në rrugën Durrës-Kukës të cilat, sipas tij, do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm. Sipas tij, 80% e parave të planifikuara për rrugët në vitin 2009 do të shkojnë në rrugën Rrëshen-Kalimash dhe vetëm 20% e fondeve do të shkojnë për rrugët në të gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë. Braçe tha se për rrugën Rrëshen-Kalimash janë paguar për indeksimin e inflacionit 8 miliardë lekë të rinj, ose sa buxheti i 580 mijë pensionistëve për një muaj. Ndërkohë është dhënë garancia për rritje të çmimit sa herë rritet inflacioni. “Abuzimi me rritjen e çmimeve në rrugën Rrëshen –Kalimash është 232 milionë euro dhe këto para do të mjaftonin të ndërtoheshin 15 mijë e 900 apartamente. Kjo është vjedhja më e madhe në historinë e vendit dhe shqiptarët do të paguajnë për këtë vjedhje për vite me radhë”, - tha Braçe. Deputeti socialist Taulant Balla, gjatë fjalës së tij, e ka cilësuar mashtrim deklaratën e Berishës për rritje të pensioneve dhe rrogave në vend. Sipas Ballës, rrogat e shqiptarëve nuk mund të krahasohen pasi shqiptarët jo vetëm që marrin pak, por edhe gjysma e parave të tyre humbet në korrupsion. “Sot ka dalë raporti i “Gallup” që e cilëson Shqipërinë më të korruptuar dhe rrogat e shqiptarëve shkojnë për korrupsionin në administratën publike”, - tha Balla. Ndërsa deputeti demokrat Pal Dajçi u shpreh: “Rama nuk mund të flasë për korrupsionin, pasi ai qeveris bashkinë më të madhe në vend dhe korrupsioni nuk shkon vetëm për qeverinë “Berisha”, por edhe për bashkinë që ai drejton”.
25 Nentor 2008