E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, debat me Bregun në Komisionin e Integrimit: “Qeveria nuk lexon kritikat”



Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin, Ilir Meta, është shprehur dje gjatë mbledhjes së këtij komisioni se qeveria nuk lexon drejt kritikat e bëra nga ndërkombëtarët, veçanërisht në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Këtë deklaratë, Meta e bëri pas raportimit në Komision të ministres së Integrimit Majlida Bregu. Sipas Metës, është shqetësuese që qeveria nuk lexon kritikat e bëra për cenimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, për mungesën e një projekti konkret për realizimin e reformës në drejtësi si dhe për nivelin e lartë të korrupsionit. “Zonja ministre pothuajse nuk i preku fare problemet që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe shtetërore në vend, duke dhënë dhe si shembull konfliktin president-parlament për rastin e dekreteve për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe njëkohësisht faktin që, pavarësisht se është thënë dhe thuhet konsensus i madh për reformën në drejtësi, progres-raporti e shpreh qartë që mungon një vizion për reformën në drejtësi dhe në gjyqësor”, - është shprehur Meta. Po kështu, ai vërejti si problematik edhe buxhetin të parashikuar për gjykatat. “Pra, progres-raporti duhet të lexohet në këndvështrime të ndryshme. Mendojmë që entuziazmi i qeverisë është i pavend, sepse problemet janë tepër të mëdha”, - është shprehur Meta. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë fjalës së saj u shpreh se progres-raporti ka vlerësuar Shqipërinë për ecurinë politike dhe ekonomike, ndërsa theksoi se qeveria po i sheh me seriozitet vërejtjet e bëra nga Komisioni Europian. “Progres-raporti vlerëson menaxhimin e lehtësimit të dhënies së vizave. Jemi përpara vendeve të rajonit përsa i përket periudhës kur do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit”, - është shprehur Bregu.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›