Raporti: Shqiptarët, më të pafavorizuarit në Ballkan për të marrë një vizë
Eljona Ballhysa
Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të mbeten më të diskriminuarit në rajonin e Ballkanit për të marrë një vizë Shengen. Lëvizja Europiane në Shqipëri ka publikuar dje raportin e monitorimit të zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave. Sipas të dhënave të raportit, rreth 26% të qytetarëve shqiptarë u refuzohet kërkesa për t’u pajisur me vizë. Po kështu, raporti thekson se kostoja e aplikimit vazhdon të mbetet e lartë. Në këtë raport rekomandohet që konsullatat e huaja të shtojnë numrin e punonjësve në mënyrë që të shkurtohet koha e shqyrtimit të aplikimeve. Raporti sugjeron Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë që të luajë një rol të veçantë në informimin e qytetarëve për situatën.
Raporti
Pavarësisht se në datën 1 janar të vitit 2008 hyri në fuqi marrëveshja e lehtësimit të vizave, gjatë këtyre muajve procesi ka qenë i komplikuar edhe për kategorinë e personave që do të kishin lehtësira në marrjen e një vize. Sipas raportit, mënyra dhe kohëzgjatja e lënies së një takimi për intervistë, oraret e ndryshme të aplikimit për vizë, konvertimi i ndryshëm i tarifës së vizës prej 35 euro që sanksionon Marrëveshja, apo marrja e vendimit për dhënien ose jo të vizës, vazhdojnë të mbeten problematika të paharmonizuara ndërmjet konsullatave Shengen. “Kostot e aplikimit për vizë të një qytetari shqiptar shkojnë në rreth 9000 lekë, çka e bën një vizë Shengen tepër të kushtueshme. Kjo kosto përfshin tarifën e vizës dhe një listë dokumentesh në mbështetje të aplikimit për vizë”, - bëhet e ditur në raport. 21 % të aplikuesve nga kategoria e personave që përfitojnë nga regjimi i lehtësuar i vizave u refuzohet viza, ndërsa aplikantët që nuk i përkasin asnjërës prej kategorive të Marrëveshjes refuzohen 30%. Megjithatë, shkalla e refuzimit të vizave në Shqipëri vazhdojnë të mbetet rreth 26%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 14%. Shqiptarët janë qartësisht në një pozicion më të pafavorshëm në raport me qytetarët e vendeve të Ballkanit
Perëndimor. Kështu viza u refuzohet vetëm 13% të qytetarëve serbë, 11% të maqedonasve, 6% të Malit të Zi dhe 4% të Bosnjes dhe Hercegovinës.
Në raport bëhet e ditur se arsyet kryesore që jepen në refuzimin e vizave janë mangësitë në dokumentacion, kur aplikanti ka qëllim tjetër nga ai i deklaruar si dhe mungesa e financave.
Rekomandimet
Lëvizja Europiane e Shqipërisë në raportin e saj rekomandon që për përmirësimin e situatës duhet të ketë transparencë të informacionit në lidhje me aplikimin për vizë të konsullatave të vendeve Shengen si në terren, ashtu edhe në faqet e internetit. Konsullatat e vendeve Shengen, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, rekomandohen të zëvendësojnë linjat e komunikimit përmes numrave me linja fikse çka do të ulte ndjeshëm koston e aplikimit për vizë. Konsullatat me numër më të madh aplikantësh duhet të shtojnë burimet njerëzore dhe kapacitetet e tyre përpunuese në mënyrë që koha e shqyrtimit të një aplikimi për vizë të jetë sa më e shkurtër. Roli i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë është i një rëndësie të veçantë, sidomos në informimin e qytetarëve në lidhje me situatën. Ministria duhet të akordojë më tepër burime njerëzore dhe financiare që merren drejtpërsëdrejti me problemet e aplikantëve për viza. Po kështu, raporti sugjeron që Ministria e Jashtme duhet të krijojë një strukturë të posaçme për të verifikuar pretendimet e aplikantëve në rastet e refuzimit të vizave. Ndërsa qeveria duhet të përfundojë procesin e krijimit të regjistrit të dixhitalizuar të gjendjes civile, të pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta me të dhëna biometrike të qytetarëve shqiptarë. Po kështu sugjerohet heqja e konfirmimit nga Dhoma e Tregtisë për aplikantët biznesmenë, ndërsa për akademikët sugjerohet lëshimi i vizave afatgjata.
25 Nentor 2008