E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, BE-ja gati planin 130 miliardë euro për të shpëtuar shtetasit e saj

Plani i shpëtimit pritet të ndihmojë edhe miliona emigrantë. Specialistët thonë se rreziku për rajonin e Ballkanit nuk ka kaluar

Ervin Koçi

Bashkimi Europian është angazhuar ditët e fundit në një përpjekje të ethshme për të nxituar në marrjen e masave të emergjencës ndaj krizës financiare që po përshkallëzohet. Për të mos lënë më tej thellimin e kësaj krize në sektorët më kyçë të ekonomisë, liderët e vendeve të BE-së janë mbledhur dje në Paris të Francës për të diskutuar miratimin e paketës 130 miliardë euro, që do të stabilizojë disi situatën ekonomike europiane. Franca ka kërkuar dhe mbështetjen Gjermanisë ndaj një programi europian që do të shpëtonte ekonominë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po qëndron në Paris dhe do të zhvillojë takime me presidentin francez Sarkozi, ndërsa aty kanë mbërritur edhe kryeministri italian Berluskoni dhe liderë të tjerë të vendeve të BE-së. Takimi planifikon marrjen e vendimit për paketën e ndihmës prej 130 miliardë eurosh për të ndihmuar BE-në, të kapërcejë krizën financiare që po e godet. Ndërkohë, midis ekonomistëve dhe ekspertëve europianë është ndezur diskutimi për politikën e përqindjeve të Bankës Qendrore Europiane. Në përgjithësi pritet që Banka Qendrore Europiane, në takimin e saj të ardhshëm, të enjten e kësaj jave, të shpallë një rritje përqindjesh prej së paku një çerek pike procentuale, për të zbutur inflacionin. Ata shohin ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vetëm në një rritje nën 2 për qind. Nga ana tjetër, jo pak ekonomistë paralajmërojnë se përqindjet në rritje do të mund të frenonin në mënyrë të panevojshme koniunkturën.

Kriza prek emigrantët

Kriza ekonomike në vendet e BE-së, përveç zhvillimit ekonomik të shteteve përbërëse dhe të nivelit të jetesës së qytetarëve të saj, po prek përherë e më tepër edhe jetesën e emigrantëve të shumtë aty. Kriza është më e ndjeshme sidomos në shtetet ku emigrantët shqiptarë janë më të shumë në numër, si në Greqi dhe Itali, vende këto prej nga ku vjen dhe numri më i madh i të ardhurave (remitancave) nga emigrantët tanë. Pak ditë më parë, ministri grek i Ekonomisë dhe Financës, Jorgos Alogoskufis, deklaroi se parashikonte një ulje të rritjes ekonomike me 2.7 për qind për vitin 2009, ndaj tre përqindësh që ishte në fund të shtatorit, për arsye të krizës ekonomike botërore. "Projekti final i buxhetit përmban shtim të parashikimeve për deficitin buxhetor për 2009-n me 0.2 për qind kundrejt 1.8 për qind para projektbuxhetit", - shtoi ai në një konferencë për shtyp. Ministri nënvizoi se "sektorët eksportues, turizmi dhe tregtia detare kishin pasur ndikime negative nga kriza financiare botërore". Sipas tij, "shihet një pasiguri e madhe në ekonominë greke për shkak të borxheve publike". Sipas vlerësimeve të FMN-së, për herë të parë pas dhjetë vitesh, po shënon regres edhe ekonomia italiane, me rënie të eksporteve, pakësim të të punësuarve dhe mosbesim në tregjet financiare.

Kriza në Ballkan

“Vendet e Europës Juglindore janë prekur fare pak nga kriza globale, por kjo nuk do të thotë se rreziku ka kaluar”. Ky ishte përfundimi i specialistëve evropianë, të cilët kanë diskutuar për masat e menjëhershme që duhen marrë nga qeveritë vendore në një mbledhje të Asamblesë së Shoqatave të Autoriteteve Vendore të Europës Juglindore, të mbajtur dje në Tiranë. “Ka rezultuar se efekti i krizës globale ka prekur pak qeverisjet vendore të Europës Juglindore. Gjithsesi, qeverisjet vendore duhet të jenë të përgatitura dhe të përfitojnë nga rreziqet që mund të vijnë. Qeverisja qendrore duhet të besojë në qeverisjet vendore duke sjellë sa më shpejt politika që influencojnë në ekonomi”,- u shpreh Tarzan Millosheviç, president i NALA-s. Ndërsa presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale në KE, Yavuz Mildon, u shpreh se nuk është vetëm Shqipëria vendi i cili nuk është prekur nga kriza globale. “Ajo që është e rëndësishme është të merren masat për të gjitha vendet që nuk janë prekur. Dhe Këshilli i Europës është gati për të ndihmuar”, - u shpreh Mildon.

FMN: “Kriza ekonomike globale do të vazhdojë gjatë”

Alarmi i ri i Fondit Monetar Ndërkombëtar është se “më e keqja e krizës duhet ende të vijë dhe pasiguria e tanishme do të vazhdojë deri në vitin 2010”. Shefi i ekonomistëve të Institutit të Uashingtonit, Blankard, theksoi se do të duhet akoma kohë që situata të kthehet në normalitet. “Ka mungesë likuiditeti për të zgjidhur problemet”, - është shprehur ai. Blankard paralajmëron se FMN-ja nuk mund t’i zgjidhë të gjitha telashet financiare, në veçanti ato të likuiditeteve dhe fton bankat qendrore të normat e interesit sa më shumë të jetë e mundur.

Bursat kryesore europiane pësuan rritje të ndjeshme dje pasdite:

1. Bursa e Londrës pothuajse + 8,0 për qind
2. Bursa e Parisit + 7,12 për qind
3. Bursa e Frankfurtit + 7,2 për qind

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›