E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i kërkon Ramës të marrë përgjegjësitë e opozitës dhe t’i kthehet parlamentit

Kryeministri ka evokuar sërish dje raportin e fundit të ODIHR-it, por edhe interesin e vendit, duke apeluar që kreu kujdestar i opozitës Edi Rama, lëre duetin me Lakrorin e ta rikthejë PS-në si opozitë në parlament, aty ku e ka mandatuar edhe sovrani

TIRANE – Kryeministri Sali Berisha i ka përsëritur edhe njëherë thirrjen kreut në detyrë të PS-së, Edi Rama, që të mos mbajë peng partinë e tij, pasi Shqipëria tashmë është një vend normal dhe nuk mund të kthehen më kohërat që tentonin ta normalizonin. Shefi i ekzekutivit u shpreh se është e pafalshme që vendimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, të sabotohen në mënyrë të tillë nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. Berisha deklaroi se Rama duhet ta lerë mënjanë duetin me Lakrorin, apo “dream team”, dhe të kthejë partinë në parlament në shërbim të angazhimit të qytetarëve shqiptarë. “Shfrytëzoj rastin këtu, në emrin tuaj, t’i bëj edhe një herë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste ta lërë duetin me zotin Lakrori, apo ‘dream team’, siç po e quajnë të rinjtë dhe ta kthejë partinë në parlament, sepse ky është një vend normal, kanë ikur kohërat kur Shqipërinë mund ta normalizonin”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha bëri të ditur se Shqipëria po ecën e sigurt drejt proceseve të mëdha integruese, është vend anëtar i NATO-s dhe kjo ka qenë arritje historike. Ndërkohë, theksoi kreu i qeverisë, Shqipërinë e presin sfida të rëndësishme në të ardhmen e afërt dhe lidhen direkt me perspektivën e saj të integrimit të shpejtë në BE, apo edhe objektiva më të hershëm, siç është heqja e regjimit të vizave, për qytetarët shqiptarë me vendet e Unionit. “Këtë vjeshtë do të ketë vendime të mëdha për Shqipërinë në Bashkimin Evropian, vendime që kanë të bëjnë me statusin e kandidatit, vendime të cilat të gjithë shqiptarët pa përjashtim, por, në mënyrë të veçantë, qeveritarët, politikanët, zyrtarët duhet të jenë në lartësinë e seriozitetit të tyre, vendime që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, lëvizje që shqiptarët e kanë pritur në shekuj. Është e pafalshme dhe jashtëzakonisht e rëndë që të përpiqesh t’i fusësh shkopinj nën rrota këtij procesi”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit theksoi se “ky nuk është një proces i thjeshtë, një proces i parëndësishëm, por është jetik për të gjitha kombet e Evropës, edhe më jetik është për ne që kemi vuajtur më shumë se kombet e tjera dhe që tani jemi në prag të këtyre zhvillimeve”.
Berisha ftoi Ramën që të kthejë sa më parë partinë në Kuvend, aty ku e ka vendin debati dhe reformat tejet të rëndësishme për çdo shqiptar dhe të ardhmen e tyre.
“Ndaj edhe një herë e ftoj zotin Rama të mos pengojë partinë e tij të hyjë në parlament, aty është vendi i debatit konstruktiv, është vendi i vendimeve, por, mbi të gjitha, është vendi i reformave që prekin çdo qytetar dhe familje shqiptare, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të tyre dhe të fëmijëve të tyre”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.
Partia Socialiste, prej disa javësh ka ndërmarrë një bojkot politik të punimeve të kuvendit, me pretekstin se është “deformuar” vullneti i votuesve shqiptarë dhe njëherazi nga ky “deformim” është penalizuar rëndë partia e majtë. Ky bojkot, megjithëse i dyshimtë, për kushtet dhe rrethanat në të cilat është marrë, e bën Partinë Socialiste, nga pikëpamja morale dhe njëherazi edhe ajo politike, përgjegjëse për kostot e rënda që mund të shkaktojë mos prezenca e saj në ndërmarrjen e reformave dhe zbatimin e rekomandimeve të ndërkombëtarëve, që kanë të bëjnë kryesisht me procesin e integrimit të vendit në BE, apo edhe kryefjalën e vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë “Berisha 2”, liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›