E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shumë shpejt, Shqipëria do të ketë infrastrukturën më moderne në rajon”

Kryeministri vijon turin “Shqipëria po Ndryshon”. Berisha inauguron përfundimin e rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik
 
TIRANE – Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha inauguroi dje përfundimin e rikonstruksionit të rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik, me gjatësi 9 kilometra dhe investim të buxhetit të shtetit me vlerë rreth 65 milion lekë.
Në takimin me banorë të Mamurrasit, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe autoritete të qeverisjes vendore, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kësaj rruge jo vetëm në aspektin turistik, pasi lidh këtë zonë dhe afron Mamurrasin, Kurbinin dhe Krujën me bregdetin, por ndihmon edhe fermerët e zonës për të arritur më shpejt dhe më me lehtësi tregun. Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë për të shumëfishuar përpjekjet, ndihmën dhe investimet për zhvillimin e bujqësisë. “Koncepti ynë, është se pa fshat të zhvilluar, nuk ka Shqipëri të zhvilluar. Rimëkëmbja e madhe ekonomike kërkon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, detyrë kjo jo e thjeshtë, e vështirë, por absolutisht e mundshme”, u shpreh kryeministri para banorëve.
Kreu i qeverisë garantoi se katër vitet në vijim, do të jenë vitet e infrastrukturës moderne.
“Shqipëria ka nevojë jetike për një infrastrukturë moderne. Këto katër vjet, ne do të thellojmë shumë më tepër përqendrimin për të ndihmuar fermerët shqiptarë. Koncepti ynë është se pa fshat të zhvilluar, nuk ka Shqipëri të zhvilluar. Rimëkëmbja e madhe ekonomike kërkon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, detyrë kjo jo e thjeshtë, e vështirë, por absolutisht e mundshme. Ndaj ne jemi të vendosur të trefishojmë investimet, para së gjithash, në infrastrukturë, në rrugë, shkollë, ujësjellës dhe kanalizime. Por, paralel me to, investimet tona do të shkojnë më vaditje, agro-përpunim, në nxitjen e prodhimit. Shpreh bindjen më të thellë se në këtë katër vjeçar ne do të kemi një Mamurras, Fushë Kuqe, Gurzë, Kurbin, Adriatik evropian”, deklaroi Berisha.
Shefi i ekzekutivit e mbylli fjalën duke garantuar kryetarët e komunave se qeveria do të financojë çdo projekt për këto komuna, për Mamurrasin për Kurbinin, por edhe më gjërë në të gjithë Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›