E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kushtet e opozitës, pretekste për të motivuar rimandatimin e kryetarit në detyrë, Edi Rama”

Deklaron kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi

TIRANE – Partia Demokratike i bën edhe njëherë thirrje Partisë Socialiste që të rikthehet në parlament në mënyrë që të vijohet normaliteti politik dhe të përqëndrohet vëmendja te detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi komenton situatën e fundit politike, post zgjedhore, duke i’u referuar rolit të opozitës dhe bojkotit të tyre ndaj punimeve të kuvendit. Patozi e konsideron vendimin politik të partisë opozitare, si të dyshimtë dhe u shpreh se kjo bëhet për të stimuluar qëndrimin e Ramës në krye të PS-së, megjithëse pa vullnetin e shumicës së socialistëve.
“Kushtet e vëna nga opozita për të hyrë në parlament nuk janë gjë tjetër veçse pretekste për të motivuar qëndrimin dhe rimandatimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në kundërshtim me frymën e statutit të PS-së”, u shpreh Patozi.
Kreu i grupit parlamentar në PD, atakoi marrëdhëniet e mazhorancës me opozitën, e cila ende nuk ka hyrë në parlament, një javë pas hapjes zyrtare të punimeve të legjislaturës së XVIII-të.
Referuar vlerësimeve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-t për zgjedhjet e 28 qershorit, Patozi nënvizoi se opozita nuk ka asnjë arsye reale, jo vetëm për të bojkotuar parlamentin, por për të thënë qoftë dhe një fjalë të vetme, të keqe për zgjedhjet, sepse nuk ka as edhe një argument të vetëm.
“Kushtet e saj, nuk janë kushte, sepse debati mes opozitës dhe mazhorancës është mbyllur me fitoren e PD-së dhe humbjen e PS-së, pasi kështu vendosën shqiptarët. Pra, ne nuk kemi se çfarë diskutojmë më me ata për zgjedhjet. Ajo që ne mund të diskutojmë sot dhe kemi nevojë të diskutojmë është mënyra se si do të lëvizë Shqipëria në katër vitet e ardhshme, ku sigurisht, opozitës i takon një rol goxha i rëndësishëm, që opozita nuk po e merr, sepse ka problemet e veta të brendshme”, deklaroi Patozi.
Sipas tij, debati i brendshëm në radhët e partisë më të madhe opozitare është i lidhur me zgjedhjet, ku disa drejtues dhe një pjesë e madhe e elektoratit socialist e kërkon shkakun e humbjes tek vetja, me shumë të drejtë, ndërsa pjesa tjetër kërkon ta gjejë tek cilësia e zgjedhjeve, pavarësisht se të gjitha raportet janë kundër dhe të gjithë shqiptarët kanë qenë dëshmitarë të një procesi ekselent zgjedhor.
Kreu i grupit të parlamentarë të demokratëve, shtoi më tej se PD-së nuk i takon të përzihet në debatin e brendshëm të socialistëve, por ajo nuk mund të qëndrojë e të bëjë sehir, sepse bëhet fjalë për forcën kryesore politike të opozitës dhe për një pasuri kombëtare, siç është PS-ja.
Për sa i takon kushtit të PS-së për hapjen e kutive të votimit, z. Patozi tha se “as PD, as Sali Berisha dhe as kushdo tjetër as nuk i hap dhe as nuk i mbyll kutitë”.
“Ne jemi lojtarë në një ndeshje, ku sigurisht nuk mund të bëjmë rolin e gjykatësit. Ne kemi hyrë në atë ndeshje, kemi zbatuar rregullat e lojës dhe nuk e kemi caktuar ne rezultatin. Rezultatin e cakton arbitri dhe aq më tepër arbitri që vëzhgohet nga dikush tjetër dhe që është ai që certifikon nëse ndeshja ishte e rregullt apo jo. Të gjitha këto kanë ndodhur, ndërsa tani ne na thuhet se pse nuk i hapim kutitë, pasi ndeshja ka mbaruar, kur dhe gjykatësi shqiptar dhe ai ndërkombëtar thonë se ndeshja ishte e rregullt”, theksoi Astrit Patozi.
Kryetari i grupit parlamentar në PD, vlerësoi se zgjedhjet ishin të lira e të ndershme, pavarësisht se nuk thuhet në mënyrë eksplicite, por e gjitha fryma e raportit të OSBE/ODIHR është në këtë frymë dhe ne realizuam një objektiv madhor duke arritur standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Kryetari i deputetëve të mazhorancës përsëriti qëndrimin që opozita të vijë në parlament, jo për interesat e PD-së, por për elektoratin e saj dhe imazhin e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›