Berisha, i përgatitur për ‘ferrin’ e fundjavës

Sulmuesi i Brisbane Roarit, Besart Berisha është i vetëdijshëm se do të kontestohet nga tifozët e Perth Gloryt, në përballjen e së dielës, në nismë të sezonit të ri në A-League. Goli kontrovers në minutën e fundit nga penalltia, i cili ia siguroi Brisbanes titullin e kampionit, pikërisht ndaj ekipit Perth, ka bërë që tifozët e këtij të fundit ta urrejnë tej mase sulmuesin kosovar.
“Do të befasohesha nëse ata do të më donin. Kjo është ajo që e pres. Unë jam futbollist pasionant, kurse ata janë tifozë pasionantë të Perthit”, ka thënë të mërkurën përfaqësuesi shqiptar para ndeshjes që do të zhvillohet në Patersons Stadium.
“Kam parë gjëra edhe më të këqija në Evropë, kështu që jam i përgatitur për këtë. Nuk është e lehtë për një ekip që e humb finalen e madhe, por për mua, finalja ka marrë fund tashmë. Ka filluar sezoni i ri, një lojë e re dhe unë pres një lojë të mirë ndaj Perthit. Dua të flas më shumë për fushën, e jo për atë që ndodh jashtë saj”, shtoi Berisha, i cili mirëpret yjet e futbollit evropian si Alessandro Del Piero e Emile Heskey, të cilët zbarkuan në kampionatin australian së fundmi.