Puyol në telashe, përdredh bërrylin

Për Carles Puyolin, assesi nuk po arrin qetësia. Pasi u rikthye nga një lëndim në këmbë, qendër mbrojtësi spanjoll e ka pësuar një lëndim të rëndë duke e përdredhur bërrylin e dorës së majtë, në fund të ndeshjes së luajtur të martën mbrëma, ku Barcelona fitoi në Lisbonë ndaj Benficas me rezultat 2:0, në xhiron e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Kapiteni i gjigantit katalunas ra në tokë pasi kërceu për të intervenuar në një rivënie këndore, duke rënë me tërë peshën e tij mbi dorën e majtë, me ç’rast e pësoi lëndimin e tmerrshëm, ku iu deformua dora e majtë. Veterani spanjoll është dërguar menjëherë në spital.
“Jemi në pritje të informatave më precize, që ta shohim nëse Puyol do të mungojë në ‘El Clasicon’ e së dielës”, ka thënë trajneri i Barçës, Tito Vilanova. Sipas të gjitha gjasave, Puyol do të mungojë më gjatë dhe nuk do të jetë i pranishëm në super takimin e fundjavës ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit. Sipas medieve spanjolle, 34 vjeçari mund të mungojë deri në gjashtë javë.