E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, i "prekur" nga vendimi i Kushtetueses

Pezullimi i ligjit të "Dosjeve" nga Gjykata Kushtetuese vazhdon të mbetet një peng i vjetër i Kryeministrit Berisha. Në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa përmendur tentativat e tij për ligjin e lustracionit, i cili u rrëzua poshtë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. "Ata që shërbyen si hanxharë të diktaturës kanë urdhëruar varje dhe vrasje, janë ende në segmente të caktuara të pushtetit", u shpreh Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri shprehu keqardhjen për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të lustracionit, duke theksuar se ky vendim u mor "nga një grup personash në konflikt të plotë interesi". Por Kryeministri tha se qeveria mbetet e vendosur në këtë proces. "Ky proces është i pandalshëm dhe është i parikthyeshëm, ai do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor", u shpreh ai.

Sipas shefit të ekzekutivit, qeveria do të vazhdojë betejën me durim dhe vendosmëri, për t‘u ndarë një herë e mirë nga kapitulli më tragjik në historinë tonë kombëtare, krimet e komunizmit.

Kryeministri ishte dje në mesditë i pranishëm në çeljen e ekspozitës në kujtim dhe nderim të viktimave të shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri, e organizuar në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë ekspozitë ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ekspozita, një nismë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, solli dokumente dhe foto tronditëse që dëshmojnë përndjekjet, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë. Dokumentet historike dhe materialet filmike janë hulumtuar dhe nxjerrë nga fondi arkivor i Muzeut Historik Kombëtar, Galerisë Kombëtare të Arteve, Arkivit Qendror të Filmit, Komitetit të Kulteve, Institutit të Historisë, Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, Arkivit të Shtetit, Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe Arkivit të RTSH-së. "Sot, sërish ata të cilët dëmshpërblyen autorët e krimeve monstruoze kundër njerëzimit, ata që firmosën ekzekutimin pa gjyq të dhjetëra e qindra intelektualëve shqiptarë, ata që firmosën dëbimin dhe internimin e dhjetëra e mijëra shqiptarëve dhe që u ndëshkuan në mënyrë simbolike nga ligji i dënimit të krimeve kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen për ato pak vite që bënë, po nga ata të cilët shërbyen si hanxharë të krimeve kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen nga Partia Socialiste, e cila në dëmin më të madh të saj, në dëmin më të madh të paqes sociale të vendit, nuk merr përsipër të kërkojë të falur dhe të distancohet nga kjo e shkuar tmerrësisht e rëndë dhe e hidhur për kombin dhe vendin", u shpreh Berisha, duke vazhduar në këtë mënyrë të nxjerrë vrerin e tij ndaj një pjese të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. "Unë e di se tek ju dhe te mbarë shqiptarët ka krijuar një brengë të thellë fakti i pezullimit të ligjit të lustracionit, nga një grup personash në konflikt të plotë interesi, subjekt parësor i veprimit të ligjit. Por sërish, duke mbetur të vendosur në këtë proces, kërkoj dhe ju ftoj të kini mirëkuptim. Ky proces është i pandalshëm, është i parikthyeshëm, ai do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor", sqaroi ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›