Ceka: E dinim që Kushtetuesja do ta pezullonte ligjin
Mazhoranca pranon faktin se e dinte që më parë se do të humbiste betejën me Gjykatën Kushtetuese për ligjin e "Dosjeve". Nënkryetari i Parlamentit, Neritan Ceka, pranon se diheshin që më përpara arsyet që Kushtetuesja do ta pezullonte ligjin e lustracionit. "Ne e dinim që në votimin tonë ka probleme të karakterit juridik dhe është prekur Kushtetuta, janë prekur parimet universale kushtetuese, jo ata që vetëm fiksohen në Kushtetutën tonë. Precedenti është pjesë e praktikës ligjore dhe kjo është baza në të cilën ne kemi kaluar ligjin", thotë kreu i PAD-së, Neritan Ceka. Sipas nënkryetarit të Kuvendit, Parlamenti duhet të filtrohet përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, por shanset për të mbyllur këtë ligj duken të zbehta. "Mirë do të ishte që gjithë kjo procedurë të mbaronte përpara zgjedhjeve në mënyrë që të mos kemi përsëri në Parlamentin e ardhshëm historinë e agjentëve të Sigurimit dhe historitë e pseudonimeve", sqaroi Ceka.