Ish të përndjekurit, presion qeverisë
Ish të përndjekurit nisin presionin ndaj qeverisë për dëmshpërblimet. Vota e ish të përndjekurve do të jetë kundër qeverisë, nëse dëmshpërblimi prej 2 miliardë nuk nis brenda 15 marsit, siç ishte premtuar. Në emër të ish të përndjekurve, Besim Ndregjoni deklaroi se kjo kategori nuk do të tolerojë shtyrjen e afatit me ligje të tjera shtesë. "Nuk ka asnjë të drejtë qeveria të ndalojë ligjin e dëmshpërblimit. Në qoftë se në bazë të ligjit këta nuk e zbatojnë vendimin, atëherë dhe ne do t`u përgjigjemi me ligj si shkelës të ligjit", tha ai. Një kusht tjetër që do të përcaktojë destinacionin e votës së ish të përndjekurve politikë, është dhe përafrueshmëria e tyre në Parlament. "Qeveria duhet të jetë në partneritet me ne, nëse do të marrë votën tonë. Ne votën kësaj radhe, si të përndjekur politikë, si pronarë, do ta japim duke i paraqitur partneritetin qeverisë, duke i paraqitur kandidaturat tona", vijoi Ndregjoni. Pak kohë më parë mazhoranca solli në Kuvend një draft që parashikonte zgjerimin e rrethit të përfituesve nga dëmshpërblimi.