E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeni antidrogë zbulon 10.5 kilogramë heroinë

Kapet një sasi e madhe heroine në kufirin shqiptaro-grek. Policia kufitare e Kapshticës ka ndaluar në orët e para të mëngjesit një 23-vjeçar nga qyteti i Elbasanit, i cili transportonte 10.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë në një mjet me targa greke. Sipas policisë, Artur Hasalla e kishte fshehur sasinë e heroinës në gomën rezervë dhe në pjesën e poshtme të makinës tip "Nissan" me targa greke. Ka qenë ora 07:00 kur 23-vjeçari, pasi kishte kaluar sportelin ku ka kryer vulosjen e dokumenteve, është ndaluar për një kontroll të mjetit nga qeni i antidrogës, i cili ka nuhatur heroinën e fshehur në gomën rezervë të mjetit. Hasalla kishte futur brenda gomës rezervë 19 pako heroine me peshë të përgjithshme 3 kilogramë. Më pas, mjeti është çuar për një kontroll më të imët dhe janë gjetur edhe 7.5 kilogramë të tjera të fshehura në pjesën e poshtme. Edhe pse është ndaluar nga ana e policisë, duke tentuar të kalonte lëndën narkotike drejt shtetit grek, 23-vjeçari ka mohuar të ketë pasur dijeni për drogën e fshehur. Sipas të dhënave të policisë, ai kishte hyrë nga e njëjta pikë kufitare një javë më parë. Policia dyshon se qëllimi për të cilin ai ka ardhur në vend ka qenë sigurimi dhe më tej transportimi i lëndës së fortë narkotike. Bashkë me sasinë e madhe të drogës është sekuestruar në cilësinë e provës edhe mjeti që drejtohej nga Hasalla. Burimet zyrtare të policisë thanë se 23-vjeçari dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe se operacioni do të shtrihet në disa qytete ku mendohet se janë bashkëpunëtorët e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›