Berisha i premton IRI mbështetje për zgjedhësit me aftësi të kufizuar
Kryeministri Berisha është takuar dje me Drejtorin Rezident për Evropën të Institutit Ndërkombëtar Republikan amerikan (IRI), Jan Erik Surotchak dhe përfaqësues te Fondacionit Shqiptar për personat me aftësi të kufizuar. Kryeministri shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë për të mbështetur zgjedhësit me aftësi të kufizuara për të marrë pjesë në zgjedhje, duke siguruar mbështetjen e nevojshme për KQZ-në në garantimin e kësaj të drejte.
Gjithashtu, Kryeministri premtoi mbështetje nëpërmjet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për programin e prodhimit në vend të mjeteve lëvizëse për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje, të drejtuar nga Fondacionit Shqiptar për personat me aftësi të kufizuar. Nga ana e tij, Surotchak i paraqiti shkurtimisht projektet që IRI po zhvillon dhe mbështet aktualisht në Shqipëri, në fushën e etikës dhe llogaridhënies parlamentare, si dhe në mbështetje të personave me aftësi të kufizuar, veçanërisht në procesin zgjedhor. Ata theksuan progresin e bërë në legjislacionin dhe procesin zgjedhor, në mbështetje të sigurimit të të drejtës së votës edhe për personat me aftësi të kufizuar, duke nënvizuar nevojën për përmirësime dhe mbështetje të mëtejshme.