E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonja e shtëpisë së Kuvendit, ironizon Topin

Ditën e djeshme, salla e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë ishte shndërruar në një mjedis festiv, me flamuj kombëtarë dhe të NATO-s. Si rrallë ndonjëherë është vënë re mungesa e debateve të ashpra mes deputetëve. Por nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, sepse ne shqiptarë jemi mësuar me të tilla gjëra, ndaj dhe ditën e djeshme, e cila ishte një ditë feste për parlamentin shqiptar, nuk kanë munguar ironitë e lëshuara këtë herë nga zonja e shtëpisë. Ka qenë pikërisht kryetarja e parlamentit, e cila me ironizimin e saj ka pritur me këmbët e para presidentin e vendit, i cili mbërriti në sallën parlamentare pikërisht në mbylljen e saj. Në të vërtetë, është vënë re mungesa e tij nisur nga fakti se gjatë gjithë zhvillimit të punimeve parlamentare, kanë qenë të pranishëm kabineti qeveritar me në krye kryeministrin Berisha, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, si dhe Presidenti i Parlamentit të Polonisë. Ndaj ardhja me vonesë, e presidentit mesa duket nuk ka lënë përshtypje të mirë tek kryeparlamentarja, e cila nuk ka kursyer ironitë e saj për të. Seanca e djeshme parlamentare, e cilësuar si historike u votua për miratimin e paketës së projektligjeve për anëtarësimin e Shqipërisë, në NATO. Kjo ditë e rëndësishme për Shqipërinë do të fiksohet edhe në albumin personal të deputetëve, të cilët në fund të kësaj seance të posaçme historike bënë një fotografi në kujtim të një dite të rëndësishme kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›