E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj mbështet qeverinë për kohën e aplikimit për në BE

Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj ka përgënjeshtruar deklaratën e tij lidhur me moskandidimin e Shqipërisë për statusin e BE- së, duke e cilësuar paraqitje spekulative dhe të kërkuar nga disa media të reagimeve të tij në lidhje me diskutimet për kohën e paraqitjes se kërkesës nga qeveria shqiptare për statusin e vendit kandidat në BE. Një kërkesë për ta futur në sirtar, një aplikim për ta futur në frigorifer dhe aq me keq një kërkesë prej së cilës mund të mbahet një qëndrim tjetër neve nuk na intereson. Në këtë kuptim unë mendoj se çështja e datës nuk duhet të shndërrohet në një obsesion politik, o tani, o më vonë, para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve, kjo është një gjë që ne jemi gati ta bëjmë kemi vetëdijen se ka ardhur momenti për ta bërë, ndërkohë që data do të vendoset në konsultim me partnerët, është shprehur Zogaj për statusin e vendit kandidat pak ditë më parë për një media.Është e trishtueshme dhe e papranueshme, që për një çështje kaq të rëndësishme dhe ndërpartiake siç është ajo e aplikimit për statusin, disa media të opozitës apo afër saj të përdorin teknikën e veçimit, montimit dhe interpretimit subjektiv të shprehjeve për të fabrikuar pozicione politike dhe kundërvënie që nuk përkojnë me të vërtetën, tha Zogaj për një media. Zogaj nënvizoi se rezoluta konsensuale e Kuvendit të Shqipërisë, përgatitur në Komisionin e Jashtëm në muajin janar të këtij viti, nxit dhe inkurajon qeverinë të ndërmarrë aktin e aplikimit, duke ia lënë asaj në dorë përcaktimin e datës, në konsultim me partnerët tanë europianë". Sipas Zogajt, Kryetari i Komisionit të Jashtëm, që ka bashkautorësinë e Rezulotës në fjalë, nuk mund të ketë një qëndrim tjetër dhe nuk mendon se qeveria duhet të presë. "Në të kundërtën, shtoi Zogaj, me bindjen se Shqipëria i ka përmbushur standardet e aplikimit dhe po synon nëpërmjet reformave në zbatim finalizimin e procesit të integrimit në BE, unë, bashkë me kolegët deputetë dhe opinionin e gjerë europianist në Shqipëri, do të mbështesja dhe duartrokisja aplikimin brenda këtij gjashtëmujori".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›