E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në forumin Crans Montana fton investitorët e huaj në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në hapjen e forumit të katërt ekonomik Crans Montana, ka ftuar vendet perëndimore të investojnë në Shqipëri, duke e vënë theksin tek lehtësirat, që ka ofruar qeveria për bizneset duke deklaruar se Shqipëria është ende e shëndetshme në mes të krizës ekonomike. Shqipëria ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë, një vend në nevojë për investime të huaja, sepse është një vend unik, i veçantë, ku investimet e huaja kanë qenë dikur të ndaluara me kushtetutë, një vend unik i cili, për shumë vite me radhë, më shumë se 35 për qind të buxhetit të tij u përdor për të ndërtuar tunele dhe bunkerë, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij. Duke e cilësuar këtë forum një ngjarje e madhe për Shqipërinë, kreu i qeverisë ka përmendur barrierat më të ulëta fiskale dhe administrimin e të gjitha procedurave në më pak se 45 ditë, ku sipas tij në këto kushte heshtja është pranim. Duke pranuar ekzistencën e vështirësive të vogla buxhetore, Berisha theksoi se gjatë këtij viti, vendi ka pasur rritjen më të lartë ekonomike. Në këtë krizë ekonomike botërore, ne jemi mirë, ne jemi të shëndetshëm. Kemi vështirësi të vogla buxhetore, por unë besoj, jo për hir të krizës, por për hir të politikave që jemi të detyruar të ndjekim, se bonusi ynë fiskal, investimet tona në infrastrukturë, ku ne kemi investuar 10 për qind të GDP-së në infrastrukturë një vit më parë, pra të gjitha këto hapa, ishin ndihmë për ekonominë e këtij vendi, theksoi Berisha, duke veccuar rritjen e energjisë në vend si dhe fushën e turizmit, si një tjetër potencial që favorizon ekonominë e vendit. Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur faktin se anëtarësimi i pritshëm në NATO ka rritur sigurinë për investime në Shqipëri, madje ka ritheksuar edhe vendimin për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pavarësisht sugjerimeve të ndërkombëtarëve për të mos u nxituar në hedhjen e këtij hapi. Para pjesëmarrësve shefi i qeverisë tha se anëtarësimi i vendit tonë në NATO pas disa ditësh jep garanci për të gjitha investimet e huaja dhe tregon stabilitetin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›