Berisha i rrit pagën Bashës 35 mijë lekë më shumë
Shtesë page edhe për mësuesit dhe mjekët. Fatura e pagave rëndon buxhetin
Në një kohë kur vendi vuan nga papunësia dhe kriza ekonomike qeveria vijon politikat e saj të rritjes së pagave. Këtë herë bëhet fjalë për drejtuesit vendorë, pagat e të cilëve rriten mesatarisht me 30 mijë lekë.
Kryebashkiaku
Ndryshimet parashikojnë rritjen e pagës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës nga 140 mijë lekë në 174 mijë e 760 lekë të reja, për nënkryetarin e bashkisë nga 130 mijë në 140 mijë lekë të reja. Ndërkohë që nga rritja e pagave kanë përfituar dhe drejtuesit vendorë për njësitë e qeverisjes vendore me 5 mijë banorë, 20, 50 dhe 100 mijë banorë. Vendimi parashikon rritje page dhe për kryetarin e Këshillit të qarkut nga 87 mijë në 132 mijë lekë të reja dhe për nënkryetarin nga 57 mijë në 91 mijë lekë të reja.
Rëndohet buxheti
Por me gjithë masat shtrënguese të qeverisë për të mbajtur nën kontroll borxhin e rritur publik, disa nga zërat e shpenzimeve të buxhetit, që lidhen kryesisht me administratën dhe ato operative vazhdojnë të rriten. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet korrente të buxhetit në shtatë muajt e parë të vitit, ishin 36 milionë dollarë më shumë se plani. Shkaku ishte rritja përtej planit e faturës së pagave të administratës dhe tejkalimi i fortë në shpenzimet operative. Së bashku me shpenzimet për pensione këto zëra vazhdojnë të rriten nga viti në vit edhe pse financat janë në krizë.
Fatura e pagave
Krahasuar me shtatë muajt e parë të vitit të kaluar fatura e pagave u rrit me 7 milionë dollarë, ajo e shpenzimeve operative me 20 milionë dollarë dhe shpenzimet për pensione me mbi 30 milionë dollarë. Qeveria i financon këto me të ardhurat që mbledh nga taksat dhe burimet e tjera financiare. Por për shkak të krizës të ardhurat janë rritur me ritme të papërfillshme. Në shtatë muajt e parë qeveria mblodhi 108 milionë dollarë më pak se plani dhe mungesa e parave e kombinuar me rritjen faturës për paga pensione dhe shpenzimeve operative e ka detyruar qeverinë të ulë fort investimet publike. Si shtatëmujor investimet e qeverisë ishin rreth 70 milionë dollarë më të ulëta se një vit më parë, ose 17.6 për qind më pak.
Investimet
Pjesa dërrmuese e shkurtimeve, mbi 80 për qind e tyre ka ardhur nga tkurrja e investimeve publike, ato që ndikojnë direkt në rritjen ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare, investimet e qeverisë në ekonomi u ulën nga 8.33 për qind e prodhimit kombëtar në vitin 2009 në 5.3 për qind vitin e kaluar. Të dhënat tregojnë se shifra po bie nga viti në vit dhe gjasat janë që në 2012, nëse privatizimet nuk do të realizohen në kohë, investimet mund të zbresin poshtë nivelit 5 për qind të prodhimit kombëtar, i cilësuar nga Ministria e Financave si niveli i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike.
Tabela: Sa ndryshojnë pagat e drejtuesve të pushtetit vendor
a) Për Bashkinë e Tiranës
-Kryetari 140 000 174 760 lekë
-Nënkryetari 130 000 140 000 lekë
b)Për njësitë e qeverisjes vendore me mbi 100.000 banorë:
- Kryetari 92 000 140 000 lekë
- Nënkryetari 60 000 93 000 lekë
c) Për njësitë e qeverisjes vendore me 50 001 100 000 banorë:
- Kryetari 60 000 116 000 lekë
- Nënkryetari 49 000 91 000 lekë
ç) Për njësitë e qeverisjes vendore me 20 001 50 000 banorë:
- Kryetari 51 000 91 000 lekë
- Nënkryetari 41 000 78 000 lekë
d) Për njësitë e qeverisjes vendore me 5 001 20 000 banorë
- Kryetari 41 000 78 000 lekë
- Nënkryetari 28 000 69 000 lekë
dh) Për njësitë e qeverisjes vendore me nën 5.000 banorë
- Kryetari 37 000 55 000 lekë
- Nënkryetari 27 000 43 000 lekë
e. Për Këshillin e Qarkut;
- Kryetari 87 000 132 000 lekë
- Nënkryetari 57 000 91 000 lekë
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Mësuesit dhe mjekët, rritje page për orët shtesë në punë
Në mbledhjen e djeshme Qeveria ka miratuar një shtesë page edhe për mësuesit dhe mjekët që qëndrojnë në punë mbi orarin zyrtar. Të gjithë ata do të marrin një shtesë page sipas orëve të punës. Kështu në vendimin e djeshëm thuhet se për shërbimin e urgjencës së rrethit, që është organizuar dhe funksionon si i tillë, për kohën që kryejnë shërbimin e urgjencës, mjekëve u jepet një shtesë page që varion nga 1100 lekë deri në 2500 lekë të reja.
Në ditë të zakonshme të shtuna të diela festa
1)për sistemin 24 orë 1700 lekë 2100 lekë 2500 lekë
2)për sistemin 16 orë 1400 lekë 1700 lekë 2200 lekë
3)për sistemin 12 orë 1100 lekë 1400 lekë 1700 lekë