E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Nazimes pas hekurave: E vrava për të shpëtuar veten

E vrava për të shpëtuar veten. Kjo ka qenë një nga dëshmitë e Nazime Vishës e cila pas hekurave dëshmoi çdo detaj përse e vrau Fiqiri Muçën të hënën e kësaj jave. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë që u kthye në kryefjalën e çdo bisede në vend apo në lajmin e parë të çdo kronike mediatike gjykata e Tiranës ka dhënë arrest me burg për 30 ditë për adoleshenten e cila gjakftohtë por herë pas here e përlotur nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese për krimin e bërë. Nazimja do qëndrojë 30 ditë në burg, derisa prokuroria të sigurojë të tjera dëshmi për krimin për të cilin ajo akuzohet. Prokuroria e akuzoi për vrasje me dashje në dëm të shtetasit Fiqiri Muça, me të cilin ajo kishte edhe lidhje intime. Organi i akuzës kërkoi një masë më të rëndë, atë të arrestit me burg pa afat, si dhe të vlerësonte si të ligjshëm arrestimin e saj në akuzën e vrasjes me dashje dhe te armë mbajtjes pa leje.
Dëshmitë e Nazimes në gjykatë
Vetë e pandehura, tha se, nuk e kishte kryer vrasjen me dashje por në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi Fiqiri Muça ishte nisur nga Durrësi për ta marrë nga shtëpia ku ajo fshihej. 18-vjeçarja nuk shprehu ndonjë pendesë për krimin e kryer për të cilën e kishte marrë përsipër. Prokuroria si provë shtesë përveç provave të fiksuara në vendin e ngjarjes, paraqiti edhe dëshminë e taksistit që dërgoi Fiqiri Muçën nga Durrësi në Krrabë. Sipas tij, Muça dhe e pandehura kishin kryer biseda telefonike intime, për më tepër se një orë. Gjithashtu sipas dëshmisë së taksistit, përveç vajzës që deklaron të ketë kryer 29 qitje me armë me qëllim vrasjen e Muçës, për metra të tëra me vrap kishte shquar edhe gjyshen dhe xhaxhanë e saj. Por edhe prokuroria edhe mbrojtja thanë se, 18-vjeçarja ishte përdhunuar sistematikisht nga shtetasi Muça që kur vajza ishte më pak se 14 vjeç. Prokuroria tha se mbetet për t’u hetuar në këtë drejtim për t’u verifikuar deklarimet e 18-vjeçares. Gjykatësi Neritan Cena la afat me 30 ditë burg, për Vishën duke i kërkuar Prokurorisë të sqarojë akoma edhe më shumë ngjarjen, si dhe të vërtetojë pikërisht nëse pretendimet e të akuzuarës për dhunim sistematik nga viktima qëndrojnë apo jo.
Mesazhet e lidhjes së vajzës me viktimën
Nëse Prokuroria dhe Policia do të kishin hetuar siç duhet rastin e ikjes se Nazime Vishës, në atë kohë ende pa mbushur 18 vjeç, atëherë do të ishte parandaluar një vrasje dhe do të ishte zbuluar një skandal pedofilie. Kjo është deklarata e avokates se caktuar nga shteti për të mbrojtur adoleshenten, e cila është në pritje të daljes para gjykatës për akuzën e vrasjes me dashje. Avokatja Vjollca Pustina deklaron se Nazime Visha është abuzuar seksualisht që pa hyrë në klasën e tetë ose thënë ndryshe ende pa mbushur 14 vjeçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›